LAJMI I FUNDIT:

Idealizmi atdhetar i Mehmet Hajrizit

Idealizmi atdhetar i Mehmet Hajrizit

Leonidha Mërtiri

Mehmet Hajrizi është emër i njohur në Kosovë. E njoh prej vitesh me një modesti të jashtëzakonshme. Jeta e tij është një jetë sakrificash, ku idealizmi atdhetar i jepte frymëmarrje objektivit të qartë dhe besimin e patundur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ishte një ëndërr e madhe, ideali i tërë atyre gjeneratave, që dhe pse në kushte të papara të terrorit serb, mbeti tek ata ajo forcë e brendshme e pathyeshme.


Ky idealizëm atdhetar ishte mburoja më e madhe e tyre për ata qindra e mijëra, që nga dekada në dekadë, mbetën në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe që vite të tëra kaluan mes torturash të egra. Që shqiptarët të gëzonin me dinjitet të gjitha të drejtat dhe liritë që u takonin, sikurse dhe popujt e tjerë.

Një nga këta idealistë ishte dhe mbeti dhe Mehmet Hajrizi. Idealizëm që nuk u zbeh asnjëherë dhe që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Djaloshi nga Strofca e Vushtrisë, fare i ri, do të aktivizohej në Lëvizjen e njohur Kombëtare të Kosovës. Familje me tradita të shquara patriotike në të gjitha periudhat, që do të humbiste njerëzit e vetë dhe të tjerët që do të provonin Goli Otokun dhe burgje të tjerë famëkeq.

Njëri nga drejtuesit kryesor të Grupit Revolucionar të Kosovës, të këtij organizmi që vepronte në ilegalitet e do të quhej bërthama e revolucionit të Kosovës, Mehmet Hajrizi, do të arrestohej disa herë dhe qelitë e burgjeve do t’i bëheshin shumë të njohura. Tridhjetë vjet pa u ndarë nga kjo rezistencë. Arrestimi i fundit ishte në fund të vitit 1981, pas demonstratave të pranverës së këtij viti, ku revoltat e njëpasnjëshme studentore kaluan në protesta të fuqishme gjithëpopullore në të gjithë vendin. Tani, regjimi serb do ta dënonte me 12 vite burg.

Zëri i tij do të mbetej dhe më tej i njëjti në kryeartikujt, artikujt e vetë te “Zëri i Kosovës”, “Liria”, gazeta këto që botoheshin jashtë apo në traktet e shkruara po nga ai, me pseudonime të ndryshme, duke i dhënë kësaj figure dimensione të reja. Një kontribut i admirueshëm dhe në vazhdimësi gjithashtu për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës e për të shkuar pastaj në ngjarjen e madhe të shpërthimit të kryengritjes së armatosur të UÇK-së.

Kjo figurë aktive dhe e dashur për njerëzit, më 1992 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës në një nga zonat elektorale të Prishtinës, kurse në mars të 1998-s ishte nga themeluesit e Lëvizjes Demokratike Shqiptare dhe më vonë i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, e njohur kjo për mbështetjen politike që i dha Luftës së Ushtrisë Çlirimtare (UÇK-së). Mehmet Hajrizi më vonë do të marrë pjesë në Delegacionin e Kosovës dhe Grupit të tij Politik në Konferencën e Rambujesë; pak kohë më vonë, për disa muaj, kryen detyrën e zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës dhe pas tetë vjetësh atë të shefit të kabinetit dhe këshilltarit të lartë të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Jeta e këtij veprimtari të shquar të çështjes kombëtare është një histori më vete. Simbol i vlerave më të mira njerëzore dhe intelektuale. Në të asnjë njollë e errët. I thjeshtë në gjithçka: kur bisedon me të a me familjarët e tij, kur sheh shtëpinë ku jeton… teksa disa të tjerë, në emër të posteve të marra nga rrahje gjoksi dhe abuzimehipoteka të tyre, u gëzohen vilave, jetës luksoze.

Mehmet Hajrizi mbetet kudo i respektuar. Mbi të gjitha: i lumtur për Kosovën e pavarur dhe sovrane, që idealizmi i vetë atdhetar dhe i atyre që ranë e luftuan për vendin sot është një realitet i prekshëm, i patundur. E ka thënë bukur Mehmet Hajrizi në librat e vet. Tre forcat që e bënin të qëndrueshëm në burg dhe jashtë tij atë: njëra quhet ideal, e dyta- ideal dhe e treta- ideal. Vetëm ideali i lartë, nënvizon ai, i jep kuptim trimërisë, qëndresës dhe vendosmërisë së luftëtarit të lirisë.

Mendoj se Kosova, sikurse dhe te ne, ka nevojë për njerëzit si Mehmet Hajrizi dhe të tjerë ish-veprimtarë të shquar, luftëtarë të paepur të çështjes kombëtare. Heshtja apo akoma më keq mospërfillja e tyre nga organet e ndryshme, vetëm vrasin. Nuk mund të kujtohesh për këta njerëz kur ata largohen nga kjo jetë, me ngush- ëllimet dhe fjalët e bukura që janë veç hipokrizi. Dëshiroj të përsëris: Vlerësimi, nderimi i përpjekjeve të të mbijetuarve, i familjeve të të rënëve, duhet të jenë emërues të qëndrueshëm, veçanërisht i Qeverisë së sotme dhe të nesërme. Në fund të fundit, është një detyrim real ndaj tyre. Sepse, po të jetë për ta, ata kurrë nuk kujtohen për veten.

Mehmet Hajrizi nuk është ndarë për asnjë moment nga bashkëluftëtarët e vet, ata që jetojnë dhe të tjerët që prehen në paqe, pa të cilët Kosova nuk do të ishte kjo që është sot. Mjafton të lexosh librat e tij. Edhe në librin e botuar para disa muajve të autorit Agim Sylejmani, me intervista të Mehmet Hajrizit, “Në rrugë drejt lirisë”, ata i gjen aty të gjallë, të bukur, me veprën e tyre të pashuar.