LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimaj: Rritja ekonomike e Shqipërisë në mesataren e rajonit por mbi mesataren e vendeve të BE-së

Ibrahimaj: Rritja ekonomike e Shqipërisë në mesataren e rajonit por mbi mesataren e vendeve të BE-së
LSA

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare u rrit me 2.72 për qind për tremujorin e parë të vitit 2023.

Në konferencën e përmuajshme për mediet mbi treguesit ekonomik, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se rritja ekonomike ishte në mesataren e vendeve të rajonit, por mbi mesataren e vendeve të BE-së.


“Rritja prej 2.72 për qind e ekonomisë ishte në mesataren e vendeve të rajonit, më e lartë se rritja në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, por më e ulët se në Kosovë dhe Malin e Zi. Në krahasim me vendet e BE-së, rritja ishte ndjeshëm më e lartë, pasi mesatarja e rritjes së ekonomisë në vendet e BE-së ishte 1 për qind”, u shpreh ministrja.

Ministrja theksoi se rritja ekonomike ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Ne kemi pasur një rritje me bazë të gjerë. Bujqësia, dhe peshkimi rezultoi me rritje 0.04 për qind të ndikuar pozitivisht nga aktiviteti i bujqësisë dhe blegtorisë, dhe më pozitivisht nga aktiviteti i peshkimit, i cili u rrit me 11 për qind. Eksportet bujqësore kanë rezultuar me një rritje të ndjeshme në vlerë dhe vëllim. Për tremujorin e e parë eksportet bujqësore në vëllim shënuan rritje me 7.6 për qind, ndërsa në vlerë 16.8 për qind. Performanca pozitive e bujqësisë ka vijuar edhe përgjatë periudhës janar-maj, ku eksportet janë rritur me 15 për qind në vlerë dhe 14 për qind në vëllim”, theksoi ministrja.

Nga ana tjetër, ministrja tha se dega e industrisë ka kontribuuar me 1.23 për qind, ku kontributin kryesor e ka dhënë dega e energjisë elektrike me një rritje rreth 6 pikë përqindje, ose 38.6 për qind, e ndikuar nga kushtet e favorshme hidrike që kanë ndikuar prodhimin vendas.

“Industria nxjerrëse ka dhënë kontribut negativ dhe ecuria e industrisë është ndikuar nga ecuria e çmimeve në lëndët e para të produkteve të kësaj industrie”, vijoi më tej Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se edhe sektori i ndërtimit ka vijuar kontributin pozitiv në ekonomi, me rreth 4.5 për qind.

“Ecuria pozitive e këtij sektori pritet të vijojë edhe në periudhën në vazhdim, nisur qoftë nga numri, qoftë nga vlera e lejeve të ndërtimit, por edhe nga investimet private dhe ato publike”, deklaroi ministrja.

Tjetër sektor me ecuri pozitive, sipas Ibrahimajt, ishte ai i turizmit.

“Të dhënat e turizmit dhe aktivitetet e lidhura me këtë degë, si akomodimi dhe shërbimi ushqimor kanë pasur një rritje me 7.2 për qind. Të dhënat operative sa i takon 5-mujorit flasin për një ecuri mjaft pozitive të këtij sektori, ndonëse vijmë nga vitit 2022 që ka qenë me performancën më të lartë të sektorit. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri është rritur me 42.5 për qind. Nëse e përkthejmë në shifra, janë 2.4 milionë qytetarë të huaj të hyrë në vend, ose rreth 700 mijë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, kjo tregon se politikat për nxitjen e sektorit të turizmit, të ndjekura nga qeveria kanë pasur efektin e duhur.

Ministrja theksoi se numri i turistëve në Shqipëri është rritur jo vetën në pikun e sezonin, por është parë si një dukuri e shpërndarë gjatë gjithë vitit.

Ajo u shpreh se qarkullimi në sektorin e turizmit për 5-mujorin 2023 ka rezultuar me rritje prej 10.7 për qind, ndërsa numri i të punësuarve shënoi rritje 11.5 për qind.

“Në të njëjtën linjë janë edhe treguesit për normën e shfrytëzimit të shtretërve. Ne presim që për 3-mujorin e dytë dhe të tretë turizmi dhe aktivitetet e lidhura direkt dhe indirekt të kenë performancë pozitive. Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e bilancit të pagesave. Të ardhurat e lidhura me sektorin e turizmit janë rritur me 121 për qind, në krahasim me vitin e kaluar, duke arritur në nivelin 189.5 milionë euro”, deklaroi Ibrahimaj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

“Veriu nuk e mbulon korrupsionin në institucione”, analistët komentojnë raportin e DASH-it për Kosovën

Lajme
Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Ambasadori i Finlandës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të bëhet realitet

Lajme
Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Tension në Kuvend mes PDK-së e LVV-së, Shala ia ndalon fjalën Kusari-Lilës – nënkryetarja thërret sigurimin

Lajme
28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

28 vite burgim dhe mbi 50 mijë euro gjobë ndaj shtatë të akuzuarve për kultivimin të bimëve narkotike dhe posedim të marihuanës

Drejtësi
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

“Paratë, ose do të vras djalin”, polici kërcënon qytetarin se nuk i dha ryshfet

Lajme
Kalo në kategori