LAJMI I FUNDIT:

I TRETUNI

I TRETUNI
Ndre Mjeda

Poemë nga: Ndre Mjeda

I.


Me shí pshtjellun acarija
Permbî bjeshkë po shungullon;
E prei maleve stuhija
Ujët e détit e pervëlon.

Mal e rê, porsi dy zdapa,
Ngrehin luftë qi gjâ s e pret;
Gjimon moti e par’e mbrapa
Mndershem rrféja po kerset.

Po këjo gjâmë qi bân natyra,
Këjo duhí qi s ká pushim,
E kësaj zêmres â pasqyra,
 pasqyra e vájit t’im.

Porsi’j ujk qi naten turret
E mbas deleve luron,
Kerkon mal e kerkon shkurret
Déri sá ndo’j vath’e rmon;

Kênka thanë m’u lëshue mizori
Mbî krye t’êmin pá nji faj;
Kênka thanë me pshtue fajtori
E me hup kush s’â si aj.

E me lanë njat vênd qi driten
E këtij shekullit m’perftoj,
M’u largue prei asish qi m’rriten,
Qi kurr zêmra si harroj.

O ti diell, qi pá nji hije
Mbî Bjeshkë t’Nênuma shkelxên
Per mue ndoshta atà shkambije
S’ké me i shndritë kah shkon e vjen.

Val’ e Drinit rrotullore,
Qi per mal e fusha bje;
E ti e Buenës rrjedha qetore,
Jo, s’do t’m’shifni kurr atjè.

Porsi rê qi tret duhija
M’ikë, o shqype, vêndi i jot;
E kurr mâ nder ditt e mija
Ndoshta n’tý nuk piqem dot.

Lamtu mirë, o mori Shkodrë!
Lamtu mirë, o ti Cukal!
Zhduket Buena nen nji kodrë
Zhduket Drini nen nji mal.

Lamtu mirë, o ti nanë shkreta
Qi me t’vshtira m’rrité kaq,
N’kohë mâ t’mirë per tý un treta,
Kúr pleqnija kerkon paq.

Veshn’ju lule, qi ju vûna
Me kujdes n’at kopshtin t’êm;
Tretni zogj, qi’ i ditë ju xûna
Tui flutrue gêmb mbi gêmb.

E ti grunë, qi muell buqari
Me djersë t’ballit e t’punoj,
Thai per hânë, o te mbloftë bari,
Se un tý kurr mâ nuk t’kerkoj.

Por ju, dele, qi blegroni
N’bjeshk’e n’vrrî me tuba shpesh,
Shton’ju, shton’ju e lerg m’i çoni
Per tregtarë do bashka lesh.

Hapi n’bjeshkë, çetinë mbretnore,
Hapi gêmbat, kând e kând;
Trashu, shparth, me trup e lëvore,
Lëshoju, bré me at shtatin tând.

Ndoshta ‘j ditë n’nji breg te thyeshem
Ndo’j lundric’ o’j barkë shtegton;
Drûnin t’uej, per shêj t’mallënjyeshem
Barka o lundra ma difton.

II.

O terr i kësáj shpélles,
O hekra t’shterngueshme,
Ju falem! mâ t’kthélles
Nder gropa t’ shêmbtueshme,
I falem, se shqimit
Ju m’hiqni trishtimit.

Ky diell, qi këtû shifet
S’â dielli i Shqypnís;
Kjo dritë qi këtû njifet,
 fundi i terrsís,
Nuk flet jo, shqyptari
S’i ndihet këtû pari.

E kândshme si véra
Kúr çilin bylbylat;
Permállshem si éra
Qi napin zymylat,
Nder lule mâ s’ parit,
 giûha e Shqyptarit.

Bylbyla, qi s’ndihni
N’ket t’mjeren shkretí;
Zymyla, qi shkrîhni
N’ket t’madhe thatí
Pa mujtë me lulzue,
S’â vênd ky per jue.

Ju njeti galdoni:
Kû â flladi i pelqyeshem,
Kû qetas del kroni,
Kû gurra del rrmyeshem,
Zymyli n’kopshtije
Terbohet nen hije.

Ograja bleroshe,
Kodrina t’lulzueme,
Ti njeti kerkoshe,
O shpêz’ e bekueme,
Njat kangë, jo me shfrye
S’â vênd ky per tye.

Këtû váji e trishtimi
Veç ndihet nder shpija;
Këtû ndihet … tingllimi
I hekrave t’mija,
E gjama e nji t’shkretit
Qi merr vala detit.

III.

Po këndon nji djalë te bregu
Permállshem si tui kjá;
As muzgu i natës as zheku
S’mundet andej me e dá,
Si váj gjithkahë i shkote
Zâni neper shkambîj.

Pshtetun mbi bërryl kah dédi,
Kû s’shifet gjâ, me sy
T’perlotshem kqyr’, e n’vedi
Duket se do me ndry
Nji sênd qi mbrênd’ i vëlote
Si grêtha o si gjarpîj.

Këndote nji fushë t’punueme
Me grunë e me barishta;
Këndote nji shpí t’vorfnueme
Kû vajton mbrêndë ferishta,
Vajtojnë dý goca t’mjera
Me nji kunatë t’pá fat.

Ndîhèj si ‘j zâ qi fiket
Létas n’gjith at shkretí;
Si nji percjellë muzhiket
Dukej ankimi i tij;
Si zâ lahutet qi éra
E tretë prei kësollet n’ shpat.

Ah! pásh at váj qi t’grîni!
Mos e ndal kângen djalë,
N’zêmrë nji gëzim m’pertrîni
Njaj vai i yt, nji fjalë
T’ âmblë si ndesha e mikut
Qi zêmren ta gazmon.

Per atdhé tand ti, vetun
Neper shkretí t’këtij vêndit,
N’zêmrë pelset, i tretun
Lerg shpís e lerg gjith sêndit,
O djalë, e n’frymë t’denikut,
N’furí t’kësáj érës vajton.

Janë xhevahira, o i mjeri,
Lott qi t’kullojnë per dhé;
E permbî mjaltë â vëneri
Qi t’turbullon n’at fé;
Jan’ár e gûr t’páçmueshem
Per nji kunorë n’krye t’at.

Ndoshta’j tallaz qi avitet
Tesh merr prej lotsh nji pikë,
E valë mbî valë prei dritet,
Me njallë nji uzdajë qi â fikë,
Kalon e’j shêj t’lakmueshem
I çon t’shkretnuemit fat.

IV.

O lejlek, o shpênd udhtár,
Qi prei slargut jé tui mbërrî,
Pàsh njat frymë qi merr e t’bár,
Ndalu ‘j herë n’njiket shkretí,
Nji fjalë t’vetme due me t’ pvetë,
O lejlek, o shpênd i shkretë.

Ndoshta ti kah jé tui ardhë
Atdhén t’êmin e kalove,
Fushat t’ona me krahë t’ bardhë
Kodrat t’onat i kerkove;
Ndoshta n’ Drî ké lá atá fletë,
O lejlek, o shpênd i shkretë.

Edhè un n’kopshtije t’mija
Nji lejlek dikúr kam pasë;
Per gjith ditë tui m’ardhë te shpija
Para deret e kam hasë;
Vîte lét te e mjera nanë,
Vîte e lŷpte’j sênd me ngranë.

E nan-zeza nuk pritote
Fqinit t’vet me ja mbajt besen;
E per ditë me ça i teprote
Zogut t’ bardhë i shtrote truesen;
Hate e pite ashtû gjith vérës
Aj lejlek, e u falte ndérës.

Une vetë me njat fatzí
Nd’oborr t’ shpís sá herë kam ndêjun;
Rrishe e lujshme neper shpí
Pá u merzit’ e pá ja mêjun,
Nji pecë t’kuqe i pata qepë
N’kâmbë t’errmaktë qi kishte repë.

Oh! me e pá nji ditë n’këto vênde!
Me dijt’ aj i mjerë per mue!
Ne ‘j mij’ t’pvetuna e mij’ sênde
Kishe i mjeri me e rrethue,
Kish ta shof nji herë!… aj vetë
Kênke ti, lejlek i shkretë.

Mirë se vjen! Vetë Perêndija
T’ paska prûmun nder kto vênde;
Se me tý gjith Shqyptarija
Fluturim mue m’ erdh, e n’mênde
T’tânë me’j herë njaj dhé m’pertrîhet,
O lejlek, kû Shqypja ndîhet.

Ah! m’kallxò, kallxò të verteten,
A lén dielli edhè mb’at ânë ?
A xhixhllojnë, si paras, n’t’shkreten
Shqyptarí e hyj e hânë ?
A lulzojnë me lule t’ érshme
Mal e fushë si n’kohë t’at-hershme?

Per njat plakë qi me buk t’rriti
M’diftò, zog, a mund t’qindrojnë?
A thue kâmbën jasht’ e qiti
Nder kopshtije qi lulzojnë,
Rreth e rreth tui lypë me sy
Diç qi n’zêmrë ká pá shfry?

Gjamët, e saja tui ushtue
A i ké ndie neper at shpí,
Kúr shkon diten tui ankue
Nji djalë t’shkretë qi e la n’pleqní ?
Nji djalë t’shkretë qi e mjera bori,
Qi n’dhé t’huej ká tretë mizori.

Atjè prap n’at çerdhen tânde
Ké me kthye, lejlek, n’prêndvérë;
Njatò vênde qi t’i kânde
Ké me i pámun edhè ‘j herë:
E n’at shpí kû askurr s’u trême,
“Fal me shëndet” m’ i thuej nanës s’ ême.

Thuej se e pásh n’udhtime t’mija;
Pertè détin n’nji shkretí;
E kurrgjâ n’ankime t’tija,
Per pos nanës nuk i kam ndie,
Thuej: per tý veç kishte drojë,
Thuej… por ça ? ti jé págojë.

V.

Nuk kalon nji nat’ e nd’ânderr,
Porsi zhgjânderr,
E shof nanen këtu per brî;
Me krye vjerrtë, me lot per sy
Rri tui shfry
Njat idhnim qi do me e grîe.

Ndêjun m’ duket prep te votra,
Kû me motra
N’dritë t’ kandilit qepte e arnote;
Por njat gaz nuk ká qi i shndritte
Kúr goditte
Petkat djalit e shêndote.

Kqyrë njat vênd kû mbramje rrishe,
Kúr nuk kishe
Fije idhnimit neper ftyrë,
E ngurron si t’kênke gurit,
E, pshtetë murit,
Lott i dalin rrkajë tui kqyrë.

T’ kishe dekë mâ mir’, o i mjerë,
Thote sá herë,
Afer nanës qi t’desht e t’ruejti;
T’ kishe mbyllë me duer te mija,
Këtû te shpija,
Njatà sy qi mordja shuejti.

Afer vorrit tând nan-shkreta,
Porsi bleta,
Ishte sjellun tui gjímue;
E n’at bár qi kishte qitë,
Per gjith ditë,
Ndonji lule kish kerkue.

Po nji lule, o dashtení,
Qi kish bî
Per mjedis te zêmres s’ote.
Kishe mbledhë nji fije bîmet,
Qi prei dhimet
M’ ishte dukë se djali m’çote.

Kjo pelhurë qi vetun mbëlova
E punova
Nat’ e ditë kurr pá ja mêjun,
Kishte mbëlue kocîjt e mí;
Por per brî
Djalit t’êm i kishe ndêjun.

E mandej, si del nji krue
Tui bumue
Rreth e rreth prei brîjes s’malit,
Rrkaj’ i ulen lott per rrudha,
– Nuk âsht udha,
Nanë, m’ u idhnue per t’zeza t’djalit.

Kúr n’ket shekull n’drit’ e qite,
Kúr e rrite
Me njat mûnd qi nep hitija,
“Nji nanë tjetrë, thoshe, ké,
Bír n’ket dhé,
Nana e jote â Shqyptarija.

Mênd e zêmrë per tê shkrîji,
E pertrîji
Nâm e lavd kúr t’i vîn dita”.
Mbas fjalësh t’tua per herë shkova,
E t’ndigiova:
Shqyptarín nuk e korrita.