LAJMI I FUNDIT:

Hunziker: Shqipëria kaotike më ndihmon për artin tim

Hunziker: Shqipëria kaotike më ndihmon për artin tim

Prej katër vitesh në Shqipëri, Thomas Hunziker, rrëfen ekspozitën e tij personale “Labor”. Artisti zviceran tregon se si Shqipëria kaotike me shumë ngjyra dhe i çrregullt ka ndikuar në procesin e tij kreativ, ku aleatin më të fortë ka rastësinë

Të qënët artist do të thotë të mos bësh llogari, por të kesh besim e të përkushtohesh në atë që bën. Rastësia mund të jetë një aleat i mirë dhe ndonjëherë mund të tejkaloj imagjinatën e njeriut. Një teori kjo e aplikuar në “Laboratorin” e artistit zviceran Thomas Hunziker, i cili përmes ekspozitës së tij të parë në Shqipëri solli figura në bronz, skulptura abstrakte, kompozime grafike, edhe një grup vizatimesh eksperimentale që ngjallën kureshtjen e vizitorëve në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore. Një cikël ky i nisur gjatë fillimeve të tij në Shqipëri, afro 3-4 vite më parë, e ku ai siç tregon, provon të mos jetë artist.


“Unë bëj shumë prova, si nga ana teknike edhe materiale, por mandej ajo që del, arti, është produkt i rastësisë. Disa herë shpresoj të dalë ajo që unë kam ndërmend, por nuk mund ta kontrolloj procesin”.

Mes veprave grafike të “Labor”, që janë konceptuar të parat në këtë cikël, gjendet gjithashtu një figurë e brishtë e derdhur në bronz, si një urë lidhëse me grafikave dhe skulpturave.

“Me grafikat kam punuar duke përdorur bojë të lëngshme, po i tillë ka qenë edhe bronzi tek skulpturat. Gjatë krijimit ngjyrat janë lënë të thahet, ndërsa bronzi të ftohet”, shprehet ai, duke shpjeguar paralelizmin përsa i përket procesit të punës.

Tani që veprat janë të përfunduara edhe ai vetë, siç rrëfen, i shikon si të ishte një spektator i thjeshtë. Imagjinata e artistit, sipas Hunzikerit, nuk mund të arrijë asnjëherë punën që bën rastësia, ndaj për realizimin e veprave atij i është dashur të bëjë prova të panumërta, në mënyrë që të minimizojë ndërhyrjen në vepër. /Anila Deda/Shekulli/