Hungaria njoftoi sot se ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare për furnizimin me gaz me kompaninë energjetike amerikane Chevron.

Kontrata e re, e nënshkruar nga Chevron dhe kompania publike energjetike hungareze MVM, parashikon furnizimin me 400 milionë metra kub LNG në vit gjatë pesë viteve të ardhshme, tha ministri hungarez i Jashtëm, Peter Szijjarto, në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendësministrin amerikan të Energjisë, James Danly.


Szijjarto përshëndeti këtë si një “epokë të re të artë” në bashkëpunimin midis dy vendeve, raporton reuters.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban premtoi muajin e kaluar, gjatë një takimi me presidentin rus, Vladimir Putin, se do të vazhdojë importin e karburanteve fosile ruse, pavarësisht planit të BE-së për të ndaluar importin e gazit rus deri në fund të vitit 2027.

MVM ka nënshkruar muajt e fundit kontrata me kompanitë britanike Shell, franceze Engie dhe azerbajxhanase SOCAR. Falë kontratës me Chevron, këto marrëveshje pritet të mundësojnë Hungarisë importin e 1,4 miliard metrave kub gaz në vit nga burime jo-ruse.

Megjithatë, kontrata 15-vjeçare që Hungaria ka me Gazpromin rus parashikon furnizimin me 4,5 miliardë metra kub gaz në vit deri në vitin 2036, pa llogaritur kontratat e tjera të furnizimit të nënshkruara gjatë viteve të fundit.

Szijjarto ka thënë më parë se deri në fund të nëntorit, në Hungari kanë arritur shtatë miliardë metra kub gaz rus. Vitin e kaluar, Hungaria konsumoi rreth 8,5 miliardë metra kub gaz. /Telegrafi/