Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për numrin e banesave të pabanueshme në Prishtinë dhe në nivel vendi po keqinterpretohen në opinionin publik dhe nuk pasqyrojnë realitetin e tregut të banesave në Kosovë thonë nga Shoqata e Ndërtuesve të Kosovës.

Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve të Kosovës në “Përballje Podcast”, ka folur për këtë duke dhënë një shpjegim për këtë.


“ASK i llogarit banesat si të pabanueshme edhe kur objekti është në proces përfundimi apo shitjeje. Nëse një objekt ka 50 banesa dhe vetëm një familje ka hyrë, statistikat i nxjerrin 49 banesa të lira”, tha Hoxha.

Sipas tij, këto të dhëna janë teknike dhe statistikore, por shpesh interpretohen gabimisht si tregues i rënies së kërkesës në tregun e banesave.

Hoxha theksoi se aktiviteti ndërtimor dhe dhënia e vazhdueshme e lejeve ndërtimore tregojnë se kërkesa reale për banesa vazhdon.

“Në momentin që kërkesa do të binte, nuk do të kishte as leje të reja ndërtimi e as projekte të reja”, u shpreh ai.

Ai shtoi se ndërtuesit nuk kanë interes të mbajnë banesa të pashitura, pasi ndërtimi lidhet drejtpërdrejt me shitjen dhe qarkullimin financiar.

- YouTube www.youtube.com

“Në momentin që nuk ka shitje, nuk ka as ndërtim”, theksoi Hoxha.

Gjithashtu ai ka folur edhe për pasojat që kanë ndërtimet pa leje dhe vonesat në planifikimin urban.

“Legalizimet janë proces i domosdoshëm, por mungesa e planifikimit urban ka krijuar probleme serioze për infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Hoxha.

Hoxha theksoi se komunat duhet të kenë plane më të qarta zhvillimore dhe të jenë më të shpejta në hartimin dhe zbatimin e planeve rregulluese.

Faton Hoxha n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast" me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu Foto: Ridvan Slivova

“Ndërtimtaria ka ecë përpara më shpejt sesa planifikimi urban. Kjo krijon probleme që pastaj i paguajnë qytetarët”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Hoxha vlerësoi se zhvillimi i qëndrueshëm i ndërtimit nuk mund të arrihet pa planifikim urban funksional dhe zgjidhje afatgjata për çështjen e legalizimeve./Telegrafi/.