Hoxha: Koalicioni LVV-PDK mund të jetë më i dobishëm strategjikisht për Kosovën


Analisti politik Ylli Hoxha ka vlerësuar se negociatat për formimin e institucioneve të reja mund të mos kufizohen vetëm te çështja e zgjedhjes së presidentit, por mund të shtrihen edhe në arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë politike për krijimin e shumicës parlamentare.
Në Debat Plus, Hoxha tha se skenari më i lehtë politik për Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por sipas tij, ky opsion është vështirësuar për shkak të zhvillimeve dhe përçarjeve brenda LDK-së.
“Ndoshta negociatat do të shkojnë drejt një kompromisi më të gjerë. Që nënkupton jo vetëm dakordimin për presidentin, por ndoshta edhe dakorimin edhe për shumicën. Dhe këtu rruga e lehtë do të ishte me LDK-në logjikisht, por u bë rrugë e vështirë nga përçarjet e lindura në LDK”.
Në anën tjetër, Hoxha ka thënë se një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës do të ishte më e vështirë për t’u arritur, por mund të kishte efekte më të mëdha në aspektin e stabilitetit institucional.
“E rruga e vështirë është me PDK-në, por që ndoshta do të jetë më e dobishme strategjikisht, jo për zotin Kurti, por për Kosovën. Sepse mund të sjellë stabilitet, mund të bjerë një shumicë që mund të përballet me sfidën e Gjykatës Speciale. Dhe një shumicë që mund të përballet me sfidën gjeopolitike, të çfarëdo relacioni me Serbinë, ka theksuar Hoxha.


































