LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave nuk duhet të jetë nën 125 euro

Hoti: Vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave nuk duhet të jetë nën 125 euro

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti vlerëson se vlera e koeficientit në Ligjin e Pagave nuk duhet të jetë më e vogël se 125 euro.

Hoti me anë të një shkrimi në Facebook, thekson se çfarëdo vlere nën këtë shumë nënkupton ulje të pagave.


“Bazuar në një llogaritje të thjeshtë: një vlerë e koeficientit prej 125 euro i ruan pagat e njëjta në fuqi blerëse, siç kanë qenë në dhjetor 2021 përpara rritjes së çmimeve. Pra, kjo vlerë e koeficientit nuk paraqet rritje reale të pagave. Rritje reale sigurohet nëse vlera e koeficientit është më e lartë se 125 euro. Çfarëdo vlere e koeficientit më pak se 125 euro nënkupton ulje të pagave në fuqi blerëse në mallra dhe shërbime”, thekson Hoti.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale.

“Për shkak të rritjes enorme të çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm, vlera reale apo fuqia blerëse e pagave u zvogëlua dukshëm gjatë vitit 2022. Qeveria nuk i përshtati pagat për normën e inflacionit, e as nuk e rriti pagën minimale. Rrjedhimisht, për pjesën më të madhe të familjeve (që kanë të ardhura vetëm nga paga) standardi i jetës ra për shkak të reduktimit të konsumit”, shprehet ai.

Ish-kryeministri i Kosovës thotë se për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10 për qind dhe se për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro.

“Pagat në sektorin publik nuk janë rritur që nga viti 2016, kur u zbatua rritja prej 2 për qind deri në 20 për qind për shkak të viteve të përvojës së punës. Për shkak të ndryshimeve strukturore në ekonomi dhe në nevojat për konsum të familjeve, si dhe inflacionit inercial për periudhën 2016-2021, është e natyrshme që pagat reale duhet të rriten së paku me 10 për qind. Kjo rritje është modeste, pasi përbën rritje prej 2 për qind në vit. Kështu që, për të siguruar rritje reale të pagave prej 10 për qind, si dhe për të kompensuar zhvlerësimin për shkak të inflacionit siç u diskutua më lartë, vlera e koeficientit të pagave duhet të jetë 137.5 euro”, përfundon ai.

Tashmë po hyjmë në javën e tretë prej se presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin e Pagave, por se deri më sot ende nuk është caktuar vlera e koeficientit për kategoritë e përfshira.

Dy javë nga dekretimi i Ligjit të Pagave – ende nuk dihet vlera financiare e koeficientit të kategorive
Lexo po ashtu Dy javë nga dekretimi i Ligjit të Pagave – ende nuk dihet vlera financiare e koeficientit të kategorive

Mirëpo, Qeveria e Kosovës në një përgjigje për Telegrafin është shprehur se vlera financiare e koeficientit pritet të caktohet brenda muajit janar.

“Vlera e koeficientit do të caktohet gjatë këtij muaji, pra gjatë muajit janar, bazuar në tërësinë e koeficienteve të shpërndarë me Ligjin e Pagave”, është shprehur zëdhënësi Përparim Kryeziu.

Më 22 dhjetor 2022, Ligji ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik.

Pas dekretimit nga presidentja, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve.

Koeficienti më i lartë, pra 18 i takon vetëm presidentit të Kosovës, derisa më i ulëti është 2 dhe ai iu takon pozitave për rekrut/kadet të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, doganor dhe korrektues. /Telegrafi/