LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Vërejtjet karshi Ligjit të Pagave do t’i adresojmë së bashku me sindikatat e sektorit publik

Hoti: Vërejtjet karshi Ligjit të Pagave do t’i adresojmë së bashku me sindikatat e sektorit publik

Vërejtët e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Ligjin për Paga, kryeministri Avdullah Hoti, ka premtuar se vërejtjet karshi Ligjit do t’i adresojë së bashku me sindikatat e punëtorëve të sektorit publik.

Këto komente i bëri në takimin që po zhvillon me kryetarë të sindikatave, një ditë pasi Kushtetuesja hodhi poshtë Ligjin për Paga të Sektorit Publik.


“Pas vendimit që mori Gjykata Kushtetuese, lidhur me Ligjin për Paga, unë e kam ngritur këtë çështje sot edhe në mbledhjen e Qeverisë, më lejoni që para jush si kryetarë të sindikatave, përfaqësues të shëndetësisë dhe arsimit dhe të gjithë që mbuloni sektorin publik, të shpreh përkushtimin e qeverisë, që bashkë të ulemi dhe të adresojmë vërejtjet qe ka pasur Gjykata Kushtetuese karshi ligjit, besoj që në afat optimal mund t’i adresojmë ato dhe ta procedojmë shpejtë ligjin për në Kuvend. Duke qenë se jemi me një situatë specifike me pandeminë, problemet ekonomike, rritjen e numrit, besoj që duhet të tregojnë të gjithë maturi. Ajo që unë dëshiroj në emër të Qeverisë shpreh zotimin se do të punoj ngushtë me ju që sa më shpejtë të adresojmë vërejtjet e gjykatës dhe të adresojmë ligjin në Kuvend”, ka thënë Hoti.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.

Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?
Lexo po ashtu Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?

“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetim të Gjykatës Kushtetuese.

Më tej, në vendimin e Kushtetueses thuhet se gjatë analizës së Ligjit, Gjykata është fokusuar qëllimisht tek “uljet” arbitrare të pagës dhe jo te “rritja” e pagave për faktin se, Kuvendi gjatë ligjbërjes është dashur të përkujdeset për të drejtat e personave të cilëve iu shkurtohet paga.

“Arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme se sa arsyet për rritje pagash, ngase të parat pakësojnë një të drejtë ekzistuese ndërkaq të dytat shtojnë mbi një të drejtë ekzistuese. Thënë këtë, Gjykata potencon që Ligjvënësi është në të drejtën e tij që pas këtij Aktgjykimi të ndërmerr çfarëdo lloj hapi për të rritur pagat në sektorin publik ashtu që të përmbush çdo synim të politikës publike për rritje pagash në sektorë të caktuar. Nuk është detyrë e Gjykatës që të shprehet se ku dhe si duhet të bëhen rritjet e pagave. Modalitetet e mundshme për këtë çështje ngelen plotësisht në diskrecion të Kuvendit dhe të Qeverisë”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Kujtojmë se deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Ligji ishte paraparë të rregullojë pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit, ku koeficienti më i lartë është 10 dhe më i ulëti është 1 dhe vlera monetare e koeficientit për vitin e parë do të jetë 239 euro. /Telegrafi/