LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit

Hoti: Do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se ende nuk kanë marrë ftesë nga presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Hoti në një postim të tij në rrjetin social Facebook ka shkruar se vonesa të tilla janë të paarsyeshme duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive.


Ai po ashtu tha se me presidentin do të takohen vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve dhe asnjë temë tjetër nuk do ta diskutojnë.

“Ne ende nuk kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Këto vonesa janë të pa arsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive. Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka thënë Hoti.

Sic tha ai, në mungesë të një iniciative të presidentit, LDK-ja do të kërkojë thirrjen e seancës për shpërndarjen e Kuvendit.

“Por, në mungesë të një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit”, theksoi ai.

Hoti gjithashtu potencoi seancën të cilën do ta thërrasin do të kërkojnë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, ku Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 milionë euro.

“Është e rëndësishme që këto fonde të mos humben për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime”, ka shkruar ndër të tjera, Avdullah Hoti në Facebook. /Telegrafi/