LAJMI I FUNDIT:

Hoti pas raportit për Ujmanin: Qeveria të realizojë marrëveshjen e Washingtonit, ndryshe nuk do ta kenë gjatë

Hoti pas raportit për Ujmanin: Qeveria të realizojë marrëveshjen e Washingtonit, ndryshe nuk do ta kenë gjatë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas publikimit të raportit të fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të kujdeset në realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit, ndryshe, ai shkruan se “nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar”.


Hoti ka thënë po ashtu se ata që janë në Qeveri, por edhe disa nga opozita duhet të kërkojnë falje që kishin dalur kundër kësaj marrëveshjeje.

SHBA: Çështja e Liqenit të Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia
Lexo po ashtu SHBA: Çështja e Liqenit të Ujmanit të rregullohet sipas traktatit të lumit Kolumbia

“A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës (SHBA), që u publikua sot?! Ata që nuk lanë gjë pa thënë për këtë studim dhe për gjithë marrëveshjen e Washingtonit, të cilët sot janë disa në Qeveri e disa në opozitë, duhet së paku të kërkojnë falje. Iu pata thënë të mos nguten. Koha po nxjerrë në dritë të gjitha të vërtetat, si dhe të gjitha mashtrimet elektorale e politike”, shkruan Hoti.

Ai tha se “ata që tani janë në Qeveri DUHET të kujdesen për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Washingtonit: projektet e hekurudhave dhe autostradave, energjisë së ripërtërishme, furnizimit me gaz, si dhe krijimin e mundësive për financim për bizneset private të Kosovës në tregje financiare të SHBA-së”.

“Ndryshe nuk do ta kenë të gjatë, siç nuk e patën të gjatë as vitin e kaluar”, shkruan Hoti tutje.

Deputeti i LDK-së, thotë se ”Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”.

“Por, Kosova nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret. Asgjë nuk është bërë që nga përmbyllja formale e njohjes nga Izraeli në fillim të shkurtit, të cilën njohje gjithashtu e kritikonin dhe nuk e besonin se do të formalizohet me vendosje të marrëdhënieve diplomatike”, shkruan Hoti. /Telegrafi/