LAJMI I FUNDIT:

Homazh patriotizmit të popullit ukrainas

Homazh patriotizmit të popullit ukrainas

Me 24 shkurt 2022, bota u zgjue nga zhurma e randë e armëvesulmuese ruse, në nji luftë të pashpallun kundër fqiut shekullor, Ukrainës heroike e paqësore. Ky sulm i paparapamë, i paprovokuem, i pamerituem kundër nji shteti fqinj kalon kufijtë e fantazisë normale në lamin ndërkombëtar. Ajo që rezultoi, ka qenë dhe vazhdon të jetë nji rezistencë luaniane e nji populli, viktimë e plotë e agresionit, dhe nji falimentim i vajtueshëm për agresorin.

Ish-Bashkimi Sovjetik, sot Republika e Federatës Ruse, gjindet në nji pozitë shumë të vështirë politike-ushtarake – presidenti aktiv i saj ashtë i akuzuem nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime kundër Njerëzimit, (e OKB-së). Historikisht, personat politikë të këtij rangu, të akuzuem nga kjo organizatë, nuk i kanë shpëtue dënimit, me përjashtim të atyne që eliminoi vdekja e parakohshme. Bota e qytetnueme gjindet para nji dileme etike nga ma të rëndësishmet: duhet të dënohet përgjegjësi i krimit? Tragjedia ukrainase deri sot ka kushtue qindra mijëra viktima të rij, sot ushtarë – pa numrue jetët civile në luftën e përgjakshme për 16 muej me radhë.


Deri tashti, përgjigjja ka qenë pozitive: Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putin, akuzohet për krime masive në Ukrainë. Invazioni rus në Ukrainë më solli kujtimet e rinisë sime kur A. Hitleri sulmoi Poloninë, më 1939, dhe fotografitë e J. V. Stalinit dhe ministrit nazist Von Ribbentrop që coptuen viktimën polake me “marrëveshje”. (Të gjetun në nji pozitë turpnuese, ish-kolegët komunistë të Liceut të Shkodrës u përgjigjen: “Ashtë bashkue ‘puna’ kundër ‘kapitalit’”; kryesisht Anglia dhe Franca. Verbëria e viktimave të indoktrinueme, nuk njeh kufi …!) Filloi Lufta e Dytë Botërore! U hap kasaphana pa kufij që konsumoi rreth 50 milionë viktima. Personalisht, gjatë asaj lufte humba babën, viktimë e terrorit fashist, dhe kushërinin 17-vjeçar, viktimë e terrorit nazist. Nazistët fajtorë u dënuen nga Gjykata Speciale Gjermane, “fajtorë” të krimeve, dhe u varën në litar.

As edhe nji zyrtar kriminel rus doli para gjyqit për krimet e kryeme. Kështu, sot, ballafaqohemi me të njajtën dilemë morale: A duhet të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës së OKB-së, presidenti Putin i Federatës Ruse? Përgjigjja ime: Po! Shkatërrimi i diktaturave fashiste, naziste, e militariste japoneze dhe traktatet e paqës që u nënshkruen me këte event historik, nuk sollën paqen e dëshirueme. Ndryshime të imponueme karakterizuen atmosferën politike në Europë dhe Azi.

Ambiciet e udhëheqësve komunistë në Moskë ma parë dhe në Pekin pesë vjet ma vonë, më 1949, insistuan me tezën e karakterit botënor të marksizmit. Nga lufta e ngrohtë pa vite paqësore kaluem në “luftën e ftohët”. U zhvillue “globalizmi” dhe viktima e parë u ba “fryma kombëtare”, identiteti i veçantë i çdo kombi. Konfliktet që vijuen, kryesisht në Kore dhe në Vietnam, mbrojshin dy ideologji në dyluftim për dominimin botënor. Në këte gjendje fluide, propaganda komuniste gjeti shesh të përshtatshëm për indoktrinim, dhe për imponimme dhune të nji identitetitë ri ideologjik, komunizmin stalinian.

U formuen “kampet” e mëdha ideologjike. “Kombi” humbi randësinë e vet si elementi i parë dhe i domosdoshëm për “qenien” e shtetit kombëtar, dhe rinia, sidomos rinia, humbi objektin kryesor të “identitetit” – vlerat kombëtare. Forca brute e irracionale e “diktaturës së proletariatit” dhe propaganda intensive marksiste në shërbim të ekspansionizmit stalinist u banë aleatët e parë. Me shembjen e “regjimit të kuq”, në Shqipëri, filloi përshkallëzimi i largimit të elementit të edukuem dhe profesionist nga vendlindja, dhe masave të përndjekuna që kerkuen lirinë e mohueme në vendlindje. Skenat televizive të botes, si ato të 2 prillit 1990, dhe ikja e turmave të papërgatituna për emigrim, tronditën ndërgjegjet e milionave dhe morën tiparet e asaj që sot quhet “rrjedhja e trurit”. Sot, vetë mbijetesa e nji kombi shqiptar të lirë po rrezikohet!

Gjendja e sotme në Shqipëri, ku 28 për qind e popullsisë konfirmohet të ketë abandonue vendlindjen, e cilësueme si “periudha transitorenë demokraci”, reflekton këtë rrezik, dhe më frikëson pa kufi. Vlerësime nga bota e jashtme për Shqipërinë janë shqetësuese. Organizata “Freedom House” (prill 2022) shkruen: “Shumica e udhëheqësve politikë shqiptarë mbeten armiqësorë ndaj vlerave liberale demokratike, dhe kanë treguar pak vlerësim për faktin se barazia nën ligj dhe respektimi i shtetit të së drejtës janë vlera të randësishme demokratike”.

Aspekti i dytë i patriotizmit ukrainas ashtë me karakter civil, dhe në frymën mbizotnuese të ndihmës reciproke në mes të popullsisë civile të paangazhueme në luftime – solidaritet i bashkësisë.

Nga nantë milionë plus ukrainas të spostuem dhe të ndjekun nga agresori rus, mbas shumë muejve të gjatë të konfliktit të pajustifikuem, ma shumë se 5.5 milionësh refugjatë janë kthye në votrat e tyne tue rifillue nji jetë të vështirë dhe plot rreziqe. Për meritën e naltë të kësaj popullsie fryma e rindërtimit ashtë kudo ku ka shkelë dhe ka shkatërrue agresioni rus. Grupe të rinjsh që nuk kanë arrit moshën e rekrutimit japin shembullin e shkëlqyeshëm për të gjithë botën: “Ashtë toka e jonë”, thonë ata; janë “Votrat tona”; “kemi shtëpitë gjysmë të djeguna, por ata na mbajnë me shpresë se … do të fitojmë!” Në fshatin Pokrovski, raportojnë gazetat amerikane, ndigjohen krizmat çmendëse të artilerisë ruse – dhe pergjigjet ukrainase.

Në këtë atmosferë, zanet e fëmijëve ukrainas ndigjohen që lozin – në mënyrën e tyne – në orët e natës, sepse dita asht e rrezikshme nga artileria e aviacioni agresorit barbar rus, që mbushin ajrin e fshatit. Tregu ka mjaft mallna për shitje. Dyqanet për lule shesin për kunorat që familjet venë në vorrezat e të sakrifikuemëve për lirinë e pavarësinë e atdheut. Qyteti ashte ba “i panjofshëm” nga jeta e rifillueme. Nuk ka ma dritore të mbylluna me dërrasa dhe kopshte ku bari rritet nga pakujdesia. Banorët qarkullojnë tue mosperfillë bombardimet.

Kambëngulja në vendlindje ka zëvendësue frikën e invazionit, megjithëse Rusia agresore bombardon pa pushim. Kthimi në atdhe ka ndryshue gjithçka! Jeta adaptohet simbas ditës. Të gjithë së bashku, rreth 5.5 milionë “ish-emigrantë” janë kthye në votrat e tyne me nji kambëngulje kundër “fatit” dhe me ballafaqim të tij. Lufta vazhdon dhe nuk ka vend të sigurt. Por, votra familjare ashtë në Ukrainë, “në fshatin tim”, dhe shpresa e gjallë ashtë “në shtëpinë stërgjyshore”, deklarojnë ata. Nji patriotizëm i cilësisë ma të naltë! Me 17 maj, gazeta “The New York Times” botoi nji raport me titull: “Rindertimi i fshateve, dhe bashkëpunimi në mes të rinjve dhe pleqve në Ukrainë”.

Åshtë nji raport frymëzues! Në fshatin Lukashivka, të rinjtë, shumica qytetarë nga qytetet përreth, vullnetarisht vijnë e pastrojnë grumbuj terreni me vetëm betona nga bombardimet ruse, e rindërtojnë. Në fshate ka vetëm pleq, 70 dhe 80-vjeçarë që mirëpresin “vullnetarët” me gjellë të përgatituna për ata. Quhen “Ndërtojmë të gjithë së bashku!”, organizatë vullnetare që ndihmon civilët me ndërtime në rrethet e Kievit dhe Çernihovit, zona të rimarruna nga okupatori rus vitin e kaluem. Grupi ka rindertue 120 shtëpi në nji duzinë fshatesh, ka pastrue mbeturinat e ndërtesave të damtueme, dhe pritet në verë ritmi i punës të shpejtohet. “Përpjekja e përbashkët na ka afrue dy breznitë, që zakonisht kanë kontakte të pakta.

“Eksperienca e luftës na ka afrue”, tregojnë vendësit. Tani, organizojnë shfaqje muzikore (DJ) si dhe veprimtari kulturore për banorët e fshatrave për rreth. Zonja Mezin ka qenë e strehueme në podrumin e shtëpisë bashkë me burrin e saj. Marsin e kaluem, kur nji predhë shkatërroi shtëpinë, çatia u dogj dhe gjithçka tjetër që kishte në shtëpi. “Jam shumë mirënjohëse për këta të rinj; punojnë kaq shumë e në punë të randa”, tregon ajo. Heronj të rezistencës kambëngulëse ukrainase: “Rrofshi! Kurrë mos u harrofshi”!

Me kangë e valle për jetë u kujtofshi!”, uronte At Gjergj Fishta! Po ky poet që i këndoi lavdisë kombëtare gjeti mjaft kurajo me vajtue tragjedinë që mbuloi kombin tonë shqiptar, kur invazionet e hueja, në Veri e në Jug, detyruen qindra mijëra shqiptarë me u shperngulë me forcë tue përfundue në zona ma miqësore, ose në vende të hueja: “Mbaroi Malësia / Lekë ma sot nuk ka/ … Murojë me i ndejë Shqipnisë… / Malësori ashtë thye / E i dëbuem ai me trathëti / Pa Atme sot ka mbete / Pa plang, pa shtëpi”. Karakteristike kanë qenë ullishtat e Vlorës dhe emigrimi i viktimave në Amerikën mirëpritëse, si dhe kampet e refugjatëve shqiptarë në Veri dhe emigrimi në tokë mikpritëse të Shqipërisë së paokupueme, dhe Turqisë jo aq mikpritëse!

Emigracioni nuk ashtë nji fatkeqësi e panjohun nga shqiptarët e merguem ose të përndjekun. Në Mesjetë, pothuejse e gjithë popullsia arvanitase e Moresë emigroi në Italinë e Jugut, ku formoi dhe mbajti të gjallë sentimentin për origjinën dhe shpresën e riatdhesimit … nji ditë, shpresë që tradhtoi. I njajti fat ndoqi kosovarët nga terrori serb. Gjatë viteve të terrorit komunist (1944-1990) mijëra shqiptarë, të përbuzun e të përndjekun, rrezikuen jetën për nji vend ma të sigurt se ajo “gropë e zezë si ferri” që u ba Shqipëria: me arrestime, tortura, dhe sidomos pushkatime.

Dhe, kjo ikje shpjegohet e kuptohet. Ka qenë dëshira me jetue në liri ashtë e papërmbajtun. Pse kjo ikje sot? Regjimi i kuq duket se ka degjenerue shoqëninë tonë pa riparim! Ajo që ngjau mbas përmbysjes së diktaturës ma të randë që ka pa vendi i jonë në historinë e tij – diktatura e proletariatit – asht shumë e trishtë, brengosëse, dhe potencialisht fatale për kombin tonë: shqiptarët largohen nga vendlindja dhe kërkojnë strehim në vende mikpritëse dhe jo aq të dëshirueshme, me rrezikun e jetës ose me dokumentacione false, dhe nuk e kthejnë kokën mbrapa, as tregojnë dëshirën për kthim në votrat stërgjyshore.

Patriotizmi shqiptar përballon nji krizë ekzistenciale! Ky problem madhor kërkon nji kujdes dhe nji studim të veçantë, të thellë dhe serioz, përtej suazave të partive politike të vendit: ku ashtë atdhedashunia e këndueme në kangët tona dhe e përsëritun mijëra herë në fjalët e fjalimet tona? Cila ashtë përgjigjja jonë e pyetjeve të herojve dhe dëshmorëve që dhanë jetën për shekuj me radhë, e të gjithë atyne që “deshën Shqipërinë për nji stan në Trebeshinë”? Kur do të dalë edhe për ty Pranvera, o Shqipëria e ime?