LAJMI I FUNDIT:

Historiku i shkurtë i Sarajeve të Toptanasve

Historiku i shkurtë i Sarajeve të Toptanasve

Sarajet e Toptanasve u ndërtuan më 1833 si shtëpi pritëse për miqtë e familjes së Selim Pashë Toptanit. Kompleksi me arkitekturë me elemente orientale dhe dekoracione me motive floreale në pjesën e drunjtë, kishte përveç dhomave, puse, ambiente ndihmëse e porta.

Të dhënat historike tregojnë se ka qenë për një kohë të shkurtër seli e Ambasadës amerikane në Shqipëri dhe ambienti i të parës Bibliotekë Kombëtare më 1920 kur ajo u themelua.


Akademiku Emin Riza rrëfen vlerat e saj.

“Një banesë është përdorur për miqtë, se ishte familje e madhe. Duke qenë me zgjidhje të përshtatshme kompozicionale dhe funksionale, nuk ka ndjerë nevojën për të bërë ndërhyrje të herëpashershme, ndaj ruan plotësisht planimetrinë dhe volumentrinë origjinale dhe është objekt i rëndësinë së veçantë”, shprehet akademiku.

Riza, specialist i banesës popullore në kohën kur godina u shpall monument kulture në vitet 1970, ka punuar për disa dekada te sarajet që shërbyen edhe si Drejtori e Institutit të Monumenteve deri në vitin 2000, kur iu kthye ish-pronarëve. Sipas tij, dëmet nga zjarri janë të riparueshme.

“Duhet ta rindërtojnë. Ka dokumentacionin e duhur që ruhet në IMK dhe ka fotografi dhe vizatime për tavanin që mund të rindërtohet, siç ishte”, tha Riza.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margatiti, duke dënuar zjarrëvënien tha se është bërë kallëzim në polici, ndërsa konfirmoi lajmin se objekti do të kthehet në institucion kulturor publik, duke ruajtur vlerat e saj. Presidenti Ilir Meta, duke e cilësuar gjenocid kulturor e barbari ndaj identitetit kombëtar, akuzoi se zjarret vihen në funksion të ndërtimit të kullave dhe babëzisë së shfrenuar të betonit. /BW/