LAJMI I FUNDIT:

Historia e një romani dhe rëndësia e redaktorit

Historia e një romani dhe rëndësia e redaktorit

Nga: Manuel Vilas
Përktheu: Albana Murra

Kushdo që do të dijë si bëhet dikush shkrimtar duhet patjetër të lexojë librin Historia e një romani shkruar nga amerikani Thomas Wolfe. Pasi lexova këtë libër më lindën rishtas pyetja: Nga vjen gjithë ky entuziazëm, gjithë ky pasion? Nga shpirti i Wolfe-it, padyshim, por kryesisht vjen nga Shtetet e Bashkuara. Nga një shtet që ka më shumë se nëntë milionë kilometra katrorë, 19 mijë kilometra bregdet dhe 300 milionë shpirtra.


Historia e një romani është një libër i mrekullueshëm autobiografik. Wolfe ka të gjitha mëdyshjet që ka një romancier. Ajo çka e bën të veçantë këtë autor është aftësia e tij për t’i shndërruar dyshimet në letërsi të mirëfilltë. Sa orë i duhej të shkruante në ditë? A i duhej të udhëtonte? A i duhej të jetonte patjetër në Paris? A mund të jesh shkrimtar edhe pse nuk ke jetuar në Paris, Londër, Berlin? Dhe si ia bënte një shkrimtar që jetonte i vetmuar në Paris në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, në kërkim të letërsisë sikur kjo të qe një e vërtetë e prekshme? A ka gëzim në krijim? Çfarë është suksesi?

Wolfe e vuajti shumë faktin që nuk ia mirëpritën romanin e tij të parë, as në vendlindjen e tij. Ai triumfoi sepse kishte shumë lexues e kritikë, por në lagjen tij Eshvill, në Karolinën e Veriut, libri i tij ngjalli vetëm urrejtje e keqkuptime. Rasti i tij vlen si shembull për të ilustruar marrëdhënien e komplikuar mes shkrimtarit dhe redaktorit. Redaktor ishte Max Perkins, pa dorën e të cilit, romani i parë nga Wolfe Ëngjëlli që na vështron (1929), ndoshta nuk do kishte patur sukses. Perkins i fshiu dhe i korrigjoi dy veprat madhështore të Wolfe-it, ndërsa Michael Grandage u frymëzua për të realizuar një film me këtë histori, që titullohet Gjeniu (2016). Më vjen në mendje gjithashtu bashkëpunimi Charles Bukowski John Martin. I dyti ishte redaktor që kishte dellin për ta dalluar talentin atje ku ishte.

Redaktori i parë i atij kalibri në shekullin XX qe Max Brod, shok i Franz Kafka-s, i cili humbi jetën nga tuberkulozi. Çuditërisht, edhe Wolfe vdiq nga e njëjta sëmundje.

Figura e redaktorit pothuajse është zvetënuar sepse jetojmë në një shoqëri ku mbizotëron koncepti i autorësisë. Sot quhen redaktorë vetëm ata që punojnë nëpër shtëpi botuese dhe i sugjerojnë autorit ndryshime dhe korrigjime. Vetëm këtë bëjnë.

Do të doja shumë të shkruaja një roman që t’i ngjante Shteteve të Bashkuara. Paqja shpirtërore do të arrihej nëse letërsia do të kishte po aq faqe sa dhe jeta.

Ka shkrimtarë të cilët nuk të lënë t´iu prekësh asnjë shkronjë. Nuk e kam kuptuar ndonjëherë pse-në, sepse në fakt një dorëshkrim është gjithmonë i përmirësueshëm. Është në fakt njerëzore që shkrimtarët të dyshojnë mbi atë çka kanë shkruar. Një shkrimtar që nuk ka më dyshime, është një shkrimtar i vdekur. Shfaqja më e qartë e bujarisë që kam vëzhguar përgjatë jetës sime letrare është kur redaktori vishet me lëkurën e shkrimtarit dhe i sugjeron ndryshime që e përmirësojnë romanin. Këshillat e përgjithshme janë boshe. Nuk ka vlerë të thuash “zbuti pak dialogjet” ose “ky personazhi nuk shkon”. Jo, ajo çka bëri Perkins ishte një gjest shpirtëror. Ai e veshi lëkurën e shkrimtarit, e mohoi identitetin e tij e prej aty e ndihmoi për ta përmirësuar librin. Ta kesh të qartë se çka tepron, kjo në fakt përcakton talentin dhe misterin e një redaktori.

Projekti letrar i Wolfe-it ishte në përmasa kontinentale; ai kishte dëshirë të dëftonte jetën amerikane; ai i donte qytetet, rrugët, shtëpitë, tjegullat, dritat, njerëzit, të gjallët dhe të vdekurit. Jetoi me një etje letrare shkatërruese. Ishte vizionar; vuante për shkak të dashurisë që kishte ndaj botës. Ai donte të shkruante një roman që t´i ngjante Shteteve të Bashkuara. Paqja shpirtërore do të arrihej nëse letërsia do të kishte po aq faqe sa dhe jeta. Por, kjo ishte e pamundur. Redaktori, që ishte miku i tij, ia tha dhe ai u pajtua me idenë. Përpos të tjerash, Wolfe ishte kalkulator i tmerrshëm: ai e numëronte numrin e fjalëve në romanet e tij, ashtu siç bëjmë ne me kompjuterët tanë. Perkins dhe Wolfe ishin romantikë; e jetuan letërsinë si ngazëllim të përjetshëm e kjo duket qartazi në librin Historia e një romani, një nga rrëfimet më euforike e ndriçuese që kam lexuar në jetë.

(Manuel Vilas është shkrimtar spanjoll. Romani i tij Ordesa ka fituar çmimin “Prix Femina Étranger” ndërsa me romanin Alegria ishte finalist i çmimit “Planeta” ndër më të mirënjohurit në Spanjë. Vilas shkruan edhe poezi, ese e tregime, dhe gjithashtu kontribuon në gazetën “El Pais”)