Hiqet suspendimi për njehsorët elektrik

Ky vendim është marrë duke u bazuar në raportin e komisionit të përbërë nga kryesues Musa Misini, dhe anëtarëve Vjollca Ajvazi, Bastri Sallahu, Ymer Hertica dhe Albulena Gashit.
Komisioni ka vepruar gjatë periudhës 25 shkurt – 4 prill 2014, dhe ka realizuar testimet e njehsorëve të paraparë me vindimin me nr.të protokolit 1369 të datës 25.02.2014, si dhe në bazë të rezultateve të fituara ka ardhur në përfundim që njehsorët e testuar i plotësojnë kushtet tekniko-metrologjike të parapara me Udhëzimet Administrative të cilat janë në fuqi, Standardeve Ndërkombëtare si dhe Rekomandimeve të Organizatës Ndërkombëtare për Metrologji Ligjore (OIML) të cilat janë:
“Udhëzimit Administrativ Nr.2006/22 (Për kërkesat tekniko-metrologjike për njehsorët elektronik të energjisë elektrike aktive me klasë saktësie 1 dhe 2). Udhëzimit Administrativ Nr.06/2011 (Për testimin e njehsorëve elektronik të energjisë elektrike aktive me klasë saktësie 1 dhe 2). Udhëzimit Administrativ Nr.Nr.02/2013 (Procedura dhe Mënyra e Testimit të Miratimit të Tipit të Mjetit Matës). Standardi Ndërkombëtar IEC 62053-21 paragrafi 7 (Kërkesat Elektrike), nënparagrafi 7.1. (Shpenzimi vetanak i fuqisë) dhe nënparagrafi 7.1.1 (Qarku Tensionit). Rekomandimi Ndërkombëtar i OIML-it, R 46-1/-2 „Njehsorët e energjisë elektrike aktive (Kërkesat Tekniko-Metrologjike dhe Kontrollimet Metrologjike dhe Testi i Performancës)”, ka njoftuar MTI-ja.
Agjencia e Metrologjisë së Kosovës, do të vëzhgojë në vazhdim gjendjen e funksionimit të këtyre njehsorëve dhe në rast të konstatimeve për funksionimin jo të përshtatshëm të këtyre njehsorëve, do të rishqyrtojë vlefshmërinë e lejimit të tipit të këtij mjeti matës“, thuhet në vendimin e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.
Nga Procesverbali i testimit, konstatohet se gjatë leximit të “load profile”në brendësi të njehsorëve elektronik është vërejtur se sistemi tarifor nuk përputhet me Ligjin per Energji Elektrike Nr.03/L-201, i cili rregullon sistemin tarifor në Kosovë. Gjatë testimeve është konstatuar se njehsorët elektrik të prodhuesit “Kohler” janë të programuar në bazë javore me tri programe si vijon: “Prej të hënës deri të premten përputhet me sistemin tarifor të Kosovës, të shtunën e programuar me orarin e sezonit veror, gjatë sezonit të dimrit dhe të dielën gjithashtu është e programuar me orarin e sezonit veror gjatë sezonit të dimrit.
Gjithashtu gjatë testimit të njehsorëve nga rreth 1500 njehsor, është hasur në; një njehësor elektrik në defekt, dy njehsor elektrik me tri tarifa aktive dhe tre njehsor elektrik me katër tarifa aktive.
“Andaj i rekomandohet KEDS-it që të merrë në shqyrtim të gjeturat të Komisionit në fjalë, në mënyrë që çdo njehsorë i montuar të jenë në përputhje me sistemin tarifor të Kosovës, i cili është i rregulluar në bazë të Ligjit për Energji Elektrike, Nr.03/L-201”, thuhet më tej në vendimin e AMK-së.
Agjencia e Metrologjisë e Kosovës i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës se do të vazhdon të jetë në vëzhgim të funksionimit të këtyre njehsorëve dhe njëhsorëve tjerë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe në rast të konstatimeve të funksionimin jo të përshtatshëm të tyre, do të ndërmarrë masat e nevojshme. /Telegrafi/





































