LAJMI I FUNDIT:

Hill: Themelimi i Asociacionit është çështje urgjente

Hill: Themelimi i Asociacionit është çështje urgjente

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka vlerësuar sot se Kurti dhe Vuçiqi në takimin në Bruksel kanë treguar se janë “shumë seriozë për të ecur përpara”, dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështja më urgjente.

“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe ka disa arsye për këtë, njëra prej tyre është se çështja ekziston për 10 vjet, dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të qetësojmë të gjithë situatën, sepse kjo është ajo që nevojitet”, tha Hill.


Siç raporton “N1” ambasadori amerikan ka thënë se  duhet ende shumë punë për të bërë, por pjesa më e rëndësishme e punës është zbatimi i marrëveshjes.

Hill tha gjithashtu se të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është çështja e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Krahas rëndësisë vjen urgjenca, ata duhet ta zgjidhin këtë”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Bashkimi Evropian, siç ka thënë ai, ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka “rëndësi historike”.

“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani, nuk mendoj se duam të ecim me një ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi ambasadori amerikan. /Telegrafi/