eksperti ad

Mjaftojnë pak minuta dhe një përbërës që zakonisht e keni në kuzhinë për t’i dhënë shtëpisë ndjesi më të ngrohtë

Sado rregullisht ta pastroni shtëpinë me fshesë elektrike dhe t’i ajrosni dhomat, qilimat shumë lehtë thithin aromat nga kuzhina, kafshët shtëpiake, lagështia dhe jeta e përditshme. Pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz kërkojnë mënyra të thjeshta që shtëpia të mbajë aromë të freskët, pa përdorur freskues të fortë kimikë.


Një nga truket më të njohura shtëpiake përfshin një erëz që pothuajse të gjithë e kanë në kuzhinë – kanellën. Aroma e saj e këndshme dhe e ngrohtë mund të krijojë ndjesinë e freskisë në ambient, ndërsa i gjithë procesi zgjat vetëm disa minuta.

Pse përdoret pikërisht kanella?

Kanella është e njohur për aromën e saj karakteristike, të cilën shumë njerëz e lidhin me pastërtinë, ngrohtësinë e shtëpisë dhe ëmbëlsirat e sapopjekura. Kur hidhet mbi qilim para pastrimit me fshesë elektrike, një pjesë e aromës së saj mund të mbetet mes fibrave edhe pas pastrimit.

Edhe pse nuk e largon shkakun e aromave të pakëndshme, kanella mund të ndihmojë që hapësira të mbajë aromë më të këndshme ndërmjet dy pastrimeve të thella të qilimit, transmeton Telegrafi.

Si zbatohet ky trik?

Procedura është shumë e thjeshtë.

Mbi sipërfaqen e qilimit hidhni në mënyrë të barabartë një sasi të vogël kanelle të bluar. Nuk është e nevojshme të përdorni shumë – mjafton një shtresë shumë e hollë.

Lëreni të qëndrojë 15 deri në 30 minuta, në mënyrë që aroma të depërtojë mes fibrave, pastaj pastrojeni mirë qilimin me fshesë elektrike.

Gjatë pastrimit, aroma e këndshme e kanellës do të përhapet në dhomë, ndërsa një pjesë e saj do të mbetet në qilim.

Efekt edhe më i mirë me sodë bikarboni

Shumë njerëz e kombinojnë këtë trik me sodë bikarboni, e cila njihet për aftësinë e saj për të thithur aromat e pakëndshme.

Përzieni disa lugë sodë bikarboni me një lugë të vogël kanelle të bluar dhe shpërndajeni në mënyrë të barabartë mbi qilim. Pas 30 minutash, pastrojeni mirë gjithë sipërfaqen me fshesë elektrike.

Në këtë mënyrë, soda mund të ndihmojë në neutralizimin e aromave të pakëndshme, ndërsa kanella lë pas një aromë të ngrohtë dhe të këndshme.

Kujdes

Para se ta aplikoni këtë trik në të gjithë qilimin, provojeni fillimisht në një pjesë të vogël dhe jo shumë të dukshme, veçanërisht nëse keni qilima të çelët ose të ndjeshëm. Kështu do të kontrolloni nëse kanella largohet plotësisht me fshesë elektrike dhe nëse lë gjurmë në material.

Një mënyrë natyrale që shtëpia të mbajë aromë më të këndshme

Nëse dëshironi t’i shmangni freskuesit artificialë me aromë të fortë, ky trik i thjeshtë shtëpiak mund të jetë një alternativë interesante. Disa majë gishtash kanellë dhe pak kohë mjaftojnë që hapësira të marrë një aromë më të ngrohtë dhe më të këndshme pas pastrimit. /Telegrafi/