LAJMI I FUNDIT:

Hetimi izraelit: Sali Berisha i përfshirë në trafikun e armëve me Ruandën

Hetimi izraelit: Sali Berisha i përfshirë në trafikun e armëve me Ruandën

Një refuzim i Gjykatës Supreme të Izraelit për deklasifikimin e një dokumentacioni të kërkuar lidhur me mbështetjen që qeveria izraelite akuzohet t’i ketë dhënë regjimit të Ruandës në vitin 1994, ekspozon edhe Shqipërinë e presidentit Sali Berisha.

Është fjala për një kërkesë të avokatit të të drejtave të njeriut Eitay Mack dhe profesorit të historisë Yair Auron, depozituar pranë Ministrisë së Jashtme izraelite në vitin 2014.


Kërkesa u refuzua disa herë derisa mbërriti në Gjykatën Supreme. Ajo kishte të bënte me rolin që ka luajtur Izraeli në furnizimin me armë të fraksioneve në luftën e tmerrshme civile që u kthye në gjenocid, ku humbën jetën gati një milion njerëz.

Pikërisht për këtë arsye OKB-ja kishte vendosur embargo armësh ndaj këtij vendi. Sipas arsyetimit të gjykatësve të lartë, “Edhe pse është e kuptueshme e drejta e publikut për t’u informuar, ekspozimi i disa dokumenteve të caktuara mund të dëmtojë marrëdhëniet e jashtme të vendit”, siç raportohet në ueb-faqen “bignewsnetwork.com”.

Sigurisht, avokati Mack e interpreton këtë bllokim si një pranim indirekt se Izraeli ka kontribuar në armatosjen e palëve në konflikt.

Nga prilli në korrik të 22 viteve më parë, një valë e tmerrshme vrasjesh ndaj etnisë Tuci dhe grupeve të moderuara të etnisë Hutu zhduku gati një të pestën e popullsisë së Ruandës, pas vrasjes së dy presidentëve e kandidatëve presidencialë njëri pas tjetrit.

Nga ana e tij, profesor Auron e ka shpjeguar kështu rënien në gjurmët e kësaj afere, për gazetarin Michal Zak: “Së pari e dëgjova nga një fotograf izraelit. Ai kishte qenë tetë herë në Ruanda dhe pa armët. Kur e pyeta nëse drejtuesit e vendit tonë ishin të përfshirë në shitje armësh, tha që po. I thashë nëse ishte fjala për Jitzhak Rabinin dhe Shimon Peresin. Tha: ‘Nuk e thashë unë këtë, e the ti. Nëse e boton diku, unë do ta mohoj dhe do them se nuk të njoh’. Kështu nisa të kërkoj për më shumë fakte. Gjeta raportime se armët ishin ngarkuar në aeroportin Ben Gurion. Lista e zbuluar nga ‘Amnesty International’ përfshinte armë të vogla që Izraeli i kishte kapur në luftën e 1973-it, si dhe armë sovjetike e kineze që ishin ngarkuar në Tiranë, Shqipëri, nën mbikëqyrjen e oficerëve izraelitë… Shumë nga avionët që transportuan ngarkesat, ishin britanikë. Dhe, megjithë embargon e OKB-së, ngarkesat vijuan edhe në maj e korrik 1994, gjatë masakrave. Sipas dokumenteve nga Ministria ruandeze e Mbrojtjes, shtatë dërgesa me municione të lehta erdhën përmes Shqipërisë nga Izraeli, në periudhën prill-korrik 1994, në adresë të milicive që kryen gjenocidin…”.

Kjo nuk është e dhëna e parë se qeveria shqiptare e kohës, përveç embargos së thyer rregullisht me ish-Jugosllavinë, në fillim të viteve 90-të ka dërguar armë edhe në vende si Ruanda, ku armatimet dhe municionet e depove shqiptare kanë vrarë qindra mijë njerëz.

Akuzat kanë dalë prej kohësh. Të dhënat më të forta dolën në vitin 1999, kur autorët Brian Wood dhe Johan Peleman botuan librin “The arms fixers” (“Matrapazët e Armëve”). Aty ata raportojnë ndër të tjera: “Shtatë ngarkesa të mëdha me armë të lehta, me vlerë 6.5 milionë dollarë fluturuan nga Tirana (Shqipëri) dhe Tel Avivi nga mesi i prillit në mes të korrikut 1994 për forcat e milicisë Hutu dhe ato paramilitare teksa po kryenin gjenocidin, madje edhe gjatë kohës që mediat botërore po raportonin masivisht ngjarjet e përgjakshme”./Shekulli/