LAJMI I FUNDIT:

Hermeus synon prodhimin e aeroplanit supersonik, pasagjerët do t’i dërgojë për 90 minuta nga Nju Jorku në Londër (Foto/Video)

Hermeus synon prodhimin e aeroplanit supersonik, pasagjerët do t’i dërgojë për 90 minuta nga Nju Jorku në Londër (Foto/Video)

Një kompani e re është duke planifikuar të zhvillojë programin për prodhimin e një aeroplani të ri, që do t’i dërgojë pasagjerët nga qyteti i New Yorkut për në Londër për vetëm 90 minuta.

Sipas mediave ndërkombëtare, kompania Hermeus do të ndërtojë një teknologji supersonike të cilën më pas pritet ta aplikojë në motorët e aeroplanëve komercial, transmeton Telegrafi.


Sipas Hermeus, fluturakja e tyre do të mund të udhëtojë me shpejtësi marramendëse – prej 3,300 milje në orë në një rreze prej 4,600 milje, dhe do të funksionojë me një teknologji shumë të avancuar të paparë deri më tani.

Sipas Ars Technica, fluturakja e kompanisë do të ndërtohet nga titaniumi kurse Hermeus tashmë ka filluar të punojë për versionin “demo” të cilin do ta ketë të gatshëm gjatë pesë viteve të ardhshme.

Hermeus nuk është kompania e vetme që synon ta arrijë një gjë të tillë, pasi apetitet për të krijuar diçka të tillë ka edhe kompania e njeriut më të pasur në botë Jeff Bezos, “Blue Origin” dhe ajo e Elon Musk, “Space X”.

“Me përvojën nga kompanitë me të mira, ekipi i Hermeus është më së miri i pozicionuar sa i përket industrisë së fluturakeve supersonike”, ka deklaruar Rob Meyerson, ish-presidenti i Blue Origin.

Inxhinierët e Hermeus më herët kishin punuar në kompaninë Generation Orbit, ku ndihmuan kolegët e tyre të ndërtojnë fluturaken X-60A, një raketë supersonike e përdorur nga ushtria amerikane për të testuar disa vetura shumë të shpejta.

Megjithatë, Hermeus do të ketë në garë kompani tjera konkurruese që synojnë ta arrijnë të njëjtën gjë – ndërtimin e aeroplanit supersonik. Në garë do të jenë Boom Supersonic, Virgin Group, Japan Air dhe Ars Technica.

Hermeus beson që ndërtimi i një aeroplani të tillë, do të mund fluturimin prej New Yorkut në Londër ta realizojë për 90 minuta. Me shpejtësinë prej 3,800 milje në orë një gjë e tillë është e mundur sipas inxhinierëve, por sfidë mbetet nxehtësia që krijohet në motor nga lëvizje e shpejtë.

E gjatë vitit të kaluar agjencia amerikane për hulumtime të avancuara e njohur si DARPA, ka njoftuar se është duke punuar në materiale të veçanta që mund t’i bëjnë ballë një shpejtësie të tillë që do të mbronte fluturaken nga nxehtësia e sidomos brenda motorëve.

Gjatë dhjetë viteve të fundit  interesim të madh për zhvillimin e fluturakeve supersonike përveç SHBA-ve, kanë shprehur edhe Rusia e Kina, megjithatë ato vazhdojnë të mbeten shumë mbrapa krahasuar me Shtetet e Bashkuara që investojnë shuma të majme në avancimin e teknologjisë ushtarake. /Telegrafi/