LAJMI I FUNDIT:

Heqja e pagesës së rrymës në veri të vendit, shumë pak ndikim në xhepin e konsumatorëve

Heqja e pagesës së rrymës në veri të vendit, shumë pak ndikim në xhepin e konsumatorëve

Heqja e faturimit të energjisë së shpenzuar në pjesën veriore të vendit nga ana e Zyrës së Rregullatorit Energjetik, (ZRRE) nuk qon peshë të madhe te konsumatorët e rregullt të cilët janë ngarkuar me vite të tëra.

Pra, nëse një konsumator ka paguar 10 euro në muaj energji elektrike, tash fatura do të jetë 9.65 euro, me një zbritje prej vetëm 35 centë, nëse konsumatori ka paguar 20 euro energji elektrike për një muaj, tash fatura do të jetë 19.30 euro, me një zbritje prej vetëm 70 centë.


Për të mos u ngarkuar konsumatorët duhet të heqen edhe ngarkesat nga humbjet komerciale dhe teknike.

Zëdhënësja e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Adelina Murtezaj – Bajrami ka konfirmuar për Telegrafin se konsumatorëve do tu paguajnë për 3.5 për qind më lirë faturat e rrymës së shpenzuar.

Por ajo nuk ka treguar se a do të kompensohen konsumatorët që kanë paguar rrymën e shpenzuar nga banorët në pjesën veriore pa u kompletuar bordi i ZRRE-së.
“Sipas përllogaritjeve të ZRRE në mesatare i bije që faturat e energjisë të zbresin për 3.5%. ZRRE ka informuar të gjitha institucionet me vendimin e Gjykatës dhe ka kërkuar nga ato që ose t’i krijojnë kushte operatorit të licencuar, që të ushtrojë funksionet e tij bazuar në kushtet e licencës, ose të gjejnë forma të tjera për të mbuluar kostot e shkaktuara nga ky mosoperim, në mënyrë që mos të rrezikohet funksionimi i operatorit dhe furnizimi me energji elektrike”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së Adelina Murtezaj – Bajrami.

Zëdhënësi i KEDS-it Viktor Buzhala ka thënë për Telegrafin se do ta zbatojnë vendimin ZRRE-së, për ndërprerjen e faturimit të energjisë së shpenzuar në veri në faturat e konsumatorëve të rregullt.

“Është detyrë dhe obligim i KEDS-it dhe KESCO-s, si akterë të zinxhirit energjetik në Kosovë, që të implementojë vendimet dhe politikat e ZRRE, siç kemi bërë deri tani, dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. ZRRE tanimë e ka marrë një vendim rreth konsumatorëve në pjesën veriore të vendit dhe ne do ta implementojmë atë plotësisht”, ka thënë Buzhala.

Ndërkaq, Ibrahim Rexhepi, këshilltari i Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin lluka ka kërkuar që të gjendet një model për tu liruar konsumatorët nga pagesa e humbjeve koemrciale.

“Në rregull, tash nuk do të paguajmë rrymën që e marrin serbet në veri. Është koha që të gjendet modeli që na liron edhe nga pagesa për energjinë elektrike në vend, apo humbjet komerciale. Ato në vitin 2015 kanë qenë afër 1,5 milion Mwh, ose mbi 30 për qind. Për krahasim, konsumi i qytetarëve në veri merr pjesë 4.8 për qind”, ka shkruar Rexhepi në profilin e tij në Facebook.

Ndryshe vetëm për pjesën veriore të Kosovës, konsumatorët e rregullt me faturat e tyre kanë paguar afërsisht 8 milionë euro në vit. /Telegrafi/