LAJMI I FUNDIT:

Heqja e mitrës mund të shkaktojë probleme të mëdha

Heqja e mitrës mund të shkaktojë probleme të mëdha

Histerektomia me vete bart në afat të gjatë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, madje edhe kur i ruajnë vezoret.

Në artikullin e publikuar në revistën e specializuar “Menopause” shkencëtarët e klinikës Mayo (Minesota) paralajmërojnë që rreziku është edhe më i madh nëse ndërhyrja me operacion bëhet para moshës 35-vjeçare të femrës, transmeton Telegrafi.

Ata kanë ndjekur gjendjen shëndetësore të më shumë se 2.000 femrave të cilat i janë nënshtruar histerektomisë. Shkencëtarët kanë rikujtuar që me ruajtjen e vezoreve shtyhet shfaqja e parakohshme e menopauzës.

Në krahasim me banoret e Minesotës, të cilat nuk i janë nënshtruar këtij operacioni, te ish-pacientet është vërejtur rrezik diç më i lartë nga zhvillimi i kolesterinës së keqe, i hipertensionit, i shtimit të peshës trupore, i aritmisë së zemrës dhe i sëmundjeve koronare të arterieve, theksojnë shkencëtarët amerikanë.

Njëzet vjet pas ndërhyrjes kirurgjike rreziku nga ngritja e tensionit të gjakut te ato ishte 13 për qind, ndërkaq nga sëmundjet koronare 30 për qind.

Është treguar që rreziku te femrat e operuara, para moshës 35 vjeç ka qenë më i madh. Mundësia e dështimit të zemrës te ato ka qenë e rritur për 4,6 herë, mundësia për zhvillimin e sëmundjeve koronare për dy herë e gjysmë, ndërkaq është vërejtur edhe ngurtësimi dhe ngushtimi i arterieve, në krahasim me femrat të cilat nuk i janë nënshtruar kësaj ndërhyrjeje.

Fjala është për të dhënat më të plota deri tani të cilat tregojnë që histerektomia me vete bart në afat të gjatë rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare, madje edhe kur i ruajnë vezoret. Shfaqen shtypja e lartë e gjakut, aritmia dhe sëmundjet e arterieve.

“Histerektomia është e dyta për nga shpeshtësia ndërhyrjeve të mëdha kirurgjike të cilat bëhen te femrat në gjithë botën, thotë dr. Shannon Laughlin-Tommaso, gjinekologe në klinikën Mayo.

Ndërhyrja kirurgjike bëhet edhe në rastin e shfaqjes së kancerit malinj të uterusit apo predispozitave gjenetike në atë lloj karcinome.

Nëse është e mundshme, gjatë operacionit nuk hiqen vezoret, sepse hulumtimet kanë treguar që heqja e tyre rrit rrezikun nga sëmundjet kronike dhe nga vdekja e parakohshme. /Telegrafi/