Qindra qytetarë të komunës së Hanit të Elezit që nga e diela kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF-në në këtë komunë si pasojë e një helmimi që dyshohet të ketë ardhur nga uji i pijes.

Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në këtë komunë, Kimete Kuka ka thënë për Telegrafin se situata është më e qetë pasi që ka filluar të ketë rënie të numrit të pacientëve.

Ajo ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë qenë vetëm 27 raste të reja.

“Situata është me qetë tash pasi që ka filluar të bie edhe numri i pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore në QKMF. Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasur vetëm 27 raste të reja, ndërkaq që nga dita e diele kur kanë filluar paraqitja e pacientëve me simptoma të helmimit e deri sot ndihmë mjekësore kanë kërkuar 217 qytetarë”, ka thënë Kuka.

Reklama
Reklama

Kuka ka theksuar se fatmirësisht të gjithë qytetarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, e kanë marrë trajtimin e duhur brenda QKMF-së në Han të Elezit dhe se nuk ka pasur nevojë që të dërgohen në spital.

IKShPK publikon rezultatet e analizave kimike për helmimet në Han të Elezit, jep disa rekomandime IKShPK publikon rezultatet e analizave kimike për helmimet në Han të Elezit, jep disa rekomandime

Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka njoftuar se rasti është duke hetuar.

“Hani Elezit 10.07.2022 – 15:30. Raportohet se disa persona kanë kërkuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se janë helmuar nga uji. Lidhur me rastin janë marrë mostrat për analizë të ujit, rasti nën hetime”, thuhet në raport.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, gjatë ditës së djeshme ka publikuar rezultatet pas analizave të ujit që janë bërë në tre fshatra të Hanit të Elezit.

Reklama

Në njoftimin e lëshuar thuhet se rezultatet e analizës fiziko – kimike të këtyre mostrave janë brenda standardeve të lejuara për ujin e pijes, ndërsa analizat bakteriologjike janë duke u punuar.

Reklama

Po ashtu, në njoftimin e IKShPK-së, thuhet se mostrat e fecesit nga pacientët me simptome janë duke u punuar në laboratorin e Mikrobiologjisë në IKSHPK.

Simptomat të cilat kanë dominuar te pacientët kanë qenë ethe, barkqitje, mundim, vjellje. /Telegrafi/