LAJMI I FUNDIT:

Helidon Xhixha, me instilacion për botën dhe vlerat njerëzore

Helidon Xhixha, me instilacion për botën dhe vlerat njerëzore

Në rrethrrotullimin tek Zogu i Zi vendoset një instalacion i Helidon Xhixhës. Vepra e skulptorit me famë ndërkombëtare vendos në fokus një shoqëri që do të bëjë përpara, në një botë ku vetë populli i tij dhe kulturat e ndryshme që përfaqësojnë janë shumë të lidhura

Rrethrrotullimi i Zogut të Zi prej mbrëmjes së të shtunës ka dukje tjetër. Dy piramida të mbivendosura, për të reflektuar dy botë në thelb të pandara njëra me tjetrën, sjellin një instalacion nga skulptori shqiptar që ka zbukuruar sheshe të mëdha të vendeve perëndimore.


Helidon Xhixha ka zgjedhur që vlerat dhe ëndrrat njerëzore t’i vendos në piramidën e sipërme, duke i komunikuar kryeqytetit një energji pozitive nëpërmjet materialit të çeliktë që në bashkëpunim me dritën krijon një harmoni të pashoq.

Në veprën e Xhixhës, ku koncepti kuratorial nuk lë askënd të përjashtuar, thelbi instiktiv dhe ai shpirtëror ndoshta do të konsideroheshin të lëna “pezull” në ajër, në rast se nuk do të gjenin mbështetje në piramidën “botë”, e cila është në varësi të ndërveprimit të njerëzve.

Xhixha e percepton skulpturën si një koncept viziv dinamik, të aftë për të përdorur dritën si lëndë të parë dhe për të transmetuar gjithmonë energji.

Artisti i cili preferon të qëndrojë i distancuar nga skulptura statike, duke synuar që vepra e tij të përcjellë anën shpirtërore në natyrë, përpiqet të gjejë forcën lëvizëse tek vlerat njerëzore.

Tetori, në këtë hapësirë qendrore të premtuar për vendosjen e instalacioneve të ndryshme artistike duket se shënon një stinë të veçantë për artin, atë të Helidon Xhixhës. /Shekulli/