LAJMI I FUNDIT:

Haziri: Opozita po e dëmton demokracinë tonë të re

Haziri: Opozita po e dëmton demokracinë tonë të re

Kryetari i Komunës së Gjilanit dhe njëherit nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, vlerëson se opozita kosovare, po i bën dëm sistemit demokratik në Kosovë me veprimet që po ndërmerr tash e disa muaj në pengim të punës së Kuvendit të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë kushtetues. Qëllimi i oppzitës është që të shkaktohet denormalitet, defunksionalitet dhe të shkaktohen shqetësime te qytetarët”, ka thënë Haziri në Info Magazine të Klan Kosovës.


“Metodat e opozitës janë të paqëlluara dhe jo të mira për demokracinë tonë të re parlamentare. Kryeministri Mustafa ka bërë vendime politike karshi kërkesave të opozitës, si shkarkimin e Jabllanoviqit”, tha Haziri.

Si zgjidhja e vetme për krizën politike në vend, Haziri e sheh dialogun në mes partive politike.

Ai tha se zgjedhjet të cilat po i kërkon opozita, janë tentim për imponim nga partitë që s’janë në pushtet.

“Opozita ka thënë se do të vazhdojë me metoda të njëjta në pengimin e punës së Kuvendit. Dialogu është e vetmja zgjidhje për krizën politike. Kryeministri ka vullnet politik që t’i zgjidhe të gjitha çështjet, një nga një, me opozitën”.

“Opsioni i zgjedhjeve si zgjidhje e vetme e kësaj situate, po imponohet nga partitë politike që janë në opozitë. Racionaliteti politik na fton që për tema të diskutueshme, që i japin frymë dhe mundësi zgjidhjes së problemeve. Dialogu i jep zgjidhje procesit”, tha Haziri.

Veprimet e fundit të opozitarëve në Kuvend, si hedhja e gazit lotsjellës, sipas Hazirit e dëmtojnë imazhin e vendit dhe po ashtu jetën publike në Kosovë.

“Opozita e ka rolin e vet, sikurse në çdo pushtet tjetër. Mirëpo, në kohën që po jetojmë e në proceset që po kalojmë nuk mund t’i kontribuojmë dëmtimit të imazhit të vendit dhe dëmtimit të jetës publike në Kosovë”, është shprehur Haziri.