Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas Samitit të NATO-s në Ankara, duke vlerësuar se Kosova është penalizuar me mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë.
Sipas Hazirit, mungesa e ftesës është pasojë e krizës së brendshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.
“Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, ka shkruar Haziri.
Ai ka shtuar se zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kriza të brendshme.
“Bota po ndryshon, por jo ne. Në qarkun e mbyllur vicioz e me kriza politike”, është shprehur ai.
Haziri u bëri thirrje akterëve politikë për reflektim dhe bashkëpunim, duke theksuar se vetëm përmes proceseve politike mund të arrihet normalizimi dhe stabiliteti institucional.
“Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, përfundoi Haziri. /Telegrafi/








































