Haxhiu kritikon reagimin e Avokatit të Popullit për moscertifikimin e Listës Serbe

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo e ka cilësuar këtë reagim si “çuditshëm dhe të padrejtë”.
“Avokati i Popullit duhet ta përfaqësojë më drejt emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë,” ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka kritikuar faktin se si një subjekt si Lista Serbe, “që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë,” mund të mbrohet me kaq lehtësi nga Avokati i Popullit. “Jo vetëm që nuk është distancuar, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty,” ka theksuar ajo.
Ish-ministrja ka shtuar se Avokati i Popullit nuk ka shprehur shqetësim për vështirësitë që, sipas saj, po u shkaktohen votuesve të mërgatës.
“Avokati i Popullit nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë,” ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, vendimi i KQZ-së “nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb”, duke theksuar se “KQZ tashmë ka certifikuar disa subjekte serbe” dhe se arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe “janë të njohura dhe të justifikuara”.
Mes tjerash, Haxhiu ka akuzuar Avokatin e Popullit për selektivitet.
“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë,” ka përfunduar ajo.




















































