LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës të mos hiqet

Hasani: Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës të mos hiqet

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se nga dita e marrjes së vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë Hercegovinës, eksportuesit e Kosovës kanë shënuar përparim.

Sipas tij, rritja e prodhimit është shënuar kryesisht tek verërat, mallrat ushqimore dhe pijet.


“Prej vënies së taksës 100 për qind ndaj mallrave me origjinë serbe dhe të Bosnjë Hercegovinës, mund të themi se eksporti ka shënuar progres, pasi është rritur dukshëm prodhimtaria vendore dhe mundësitë për të eksportuar janë dukshëm më të mëdha. Nga informatat dhe kontaktet që kam me eksportuesit, në të gjitha kompanitë thuajse është dyfishuar eksporti dhe, po ashtu, është rritur edhe numri i të punësuarve”, ka thënë Hasani.

“Më parë kishim rritje kryesisht tek industria e drurit dhe ajo metalike, tash kemi rritje kryesisht në fushën e konsumit si te verërat, pijet dhe ushqimet në përgjithësi”, ka thënë ai.

Hasani ka deklaruar se eksportuesit e Kosovës tani kanë rritur operimin e tyre kryesisht në vendet e regjionit dhe CEFTA-s. “Prej vënies së taksës, kryesisht eksportuesit kanë arritur që të kenë shtrirje më të madhe në vendet e regjionit dhe CEFTA-s”, është shprehur Hasani.

I pyetur se për cilat mallra është vërejtur vakum apo është hasur në vështirësi të zëvendësimit, ai ka thënë se janë kryesisht mallrat e higjienës, por për të cilat është bërë zgjidhja e zëvendësimit.

“Janë disa mallra të higjienës të cilët në sasi të konsiderueshme më parë i kemi importuar nga Serbia, të cilat tani mund t’i zëvendësojmë me produkte nga Maqedonia ose Shqipëria”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani. /Epoka e Re/Telegrafi/