LAJMI I FUNDIT:

Hasani: Kosova ka filluar të jetë atraktive për investitorët gjerman gjatë pandemisë

Hasani: Kosova ka filluar të jetë atraktive për investitorët gjerman gjatë pandemisë

Kosova gjatë pandemisë COVID-19 ka filluar të jetë atraktive për investitorët potencial nga Gjermania.

Kështu është shprehur drejtoresha menxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com që është diskutuar për investimet e diasporës si dhe ato gjermane në Kosovë.


Hasani tha se Gjermania vazhdon të jetë investitori kryesor në Kosovë dhe se ka pasur rritje të eksporteve nga vendi ynë.

“Kosova ka filluar të jetë atraktive për investitorët gjerman, veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19. Ky është edhe mesazhi që po e përcjellim nga viti i kaluar, ngase jemi në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë gjermane të cilat interesohen për rajonin, e prandaj adresa në Kosovë jemi ne. Gjatë pandemisë ka pasur vështirësi në zinxhirin e furnizimit, veçanërisht për kompanitë që furnizohen nga Kina dhe nga këtu ka lindur nevoja për diversifikim të furnizuesve që të jenë më afër Evropës. Tani, fokusi është në vendet e Ballkanit Perëndimor. E mira e kësaj pandemie ka qenë se, është rrit interesi për t’u furnizuar me produkte të metalit dhe plastikës nga Kosova. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi pasur një rritje prej më shumë se 40 për qind të eksporteve të Kosovës për në Gjermani”, tha Hasani.

Diaspora me potencial të madh për investime, Gjermania në top vendet që kanë investuar në Kosovë
Lexo po ashtu Diaspora me potencial të madh për investime, Gjermania në top vendet që kanë investuar në Kosovë

Ajo shton se nga Kosova shumë kompani të teknologjisë eksportojnë shërbime në tregun gjerman.

“Nga Kosova kemi shumë kompani të IT-së, që eksportojnë shërbime në Gjermani. Për ta shfrytëzuar më shumë potencialin e sektorit të IT-së dhe për ta rritur eksportin e shërbimeve, ne si OEGJK jemi bërë proaktiv dhe kemi identifikuar 16 shoqata të IT-së në Gjermani, ku nga kjo javë kemi filluar që të kemi takime me to. Përmes buletineve të këtyre shoqatave duam të plasojmë informacione për sektorin e ICT në Kosovë dhe të organizojmë ngjarje informative për Kosovën për këtë sektor”, përfundon ajo.

Në emision është diskutuar është për pengesat që kanë investitorët në vendin tonë por edhe për lehtësirat që shteti i Kosovës duhet t’i bëjë. Gjithashtu në fund të emisionit janë diskutuar edhe modele e histori suksesi të investimeve nga diaspora e Gjermania në Kosovë. /Telegrafi/