Zvicër, vapa e madhe i deyron vreshtarët të vjelin rrushin në mes të verës

Nxehtësia ekstreme dhe temperaturat e larta që kanë kapluar Zvicrën gjatë javëve të fundit kanë pasu një ndikim të papritur në bujqësi: vjelja e rrushit për këtë vit ka nisur jashtëzakonisht herët, duke u zhvendosur plotësisht në mes të verës.
Në shumë rajone vreshtarie të vendit, procesi i vjeljes ka filluar disa javë më herët se zakonisht, raportojnë mediat zvicerane.
Ekspertët dhe vetë kultivuesit e rrushit sqarojnë se pjekja e përshpejtuar nga dielli i fortë i verës detyron ndërhyrjen e menjëhershme në vreshta, me qëllim që të ruhet balanca e duhur mes nivelit të sheqerit dhe aciditetit në kokrrat e rrushit.
Kjo vjelje e parakohshme sjell sfida të reja logjistike për prodhuesit e verës.
Për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës, punëtorët duhet të vjelin rrushin që në orët e para të mëngjesit për të parandaluar fermentimin e padëshiruar të frutave të nxehta përpara se ato të mbërrijnë në kthinat e përpunimit.
Ndryshimet klimatike dhe verërat gjithnjë e më të nxehta po e shndërrojnë këtë dukuri nga një përjashtim në një realitet të ri për sektorin e vreshtarisë në Zvicër.
Ndonëse cilësia e rrushit vlerësohet e mirë, prodhuesit po përshtatin teknologjitë e tyre për të ruajtur freskinë dhe aromën tipike të verërave zvicerane në kushtet e klimës që po ngrohet. /Telegrafi/






































