LAJMI I FUNDIT:

Harroni gërryesen e akullit, kjo zgjidh problemin menjëherë!

Harroni gërryesen e akullit, kjo zgjidh problemin menjëherë!

Nëse jeni shofer aktiv, besojmë që mëngjeset e mbuluara me borë assesi nuk mund të jenë të këndshme, posaçërisht nëse jeni nisur për diku.

Eliminimi i akullit dhe acarit nga xhamat e veturës di të jetë ferr i vërtetë, mirëpo kur t’i mësoni disa veprime të dobishme që të veproni në mënyrë preventive, kjo më nuk do të jetë punë e mundimshme, transmeton Telegrafi.


Pra, nuk do ta urreni xhamin e ngrirë të veturës kur nguteni për të shkuar diku dhe kur si i harbuar gërryeni akullin, më së miri është të mendoni qysh më parë dhe me kohë të përgatiteni në mënyrë që këtë problem ta zgjidhni sa çel e mbyll sytë.

Këto janë disa truqe të dobishme:

1. Në internet është shumë i popullarizuar mjeti popullor për shkrirjen e xhamave të veturës i cili bëhet thjesht – nga alkooli medicinal dhe uji.

Në një shishe me spërkatës qitni dy të tretat alkool dhe një të tretën ujë, tundeni dhe pastaj spërkateni në xhama.

Për disa sekonda akulli do të duhej të zbutej, prandaj do të mundeni lehtë ta eliminoni pa kurrfarë gërryerjeje.

Nëse nuk keni alkool, mund t’ju shërbejë lëngu për larje të xhamave. Këshillohet që këtë tretje ta bëni para se të dilni, dhe gjithmonë do të keni si brenda në veturë, ashtu edhe në shtëpi.

2. Mos harroni preventivën. Truku më i mirë është që gjatë natës në xhamin e përparmë të vendosni një copë kartoni apo folie verore, që do t’i hiqni lehtë në mëngjes – dhe nuk do të jeni të detyruar t’i gërryeni xhamat.

Edhe një këshillë është që fshesa të veturës të vendosni çorape – në mëngjes nuk do t’i gjeni të “ngjitura” për xhamin e ngrirë. Apo ajo që është edhe më e thjeshtë ngrini fshesat nga xhamat që të mos kenë kontakt me xhamin.

3. Retrovizorët në veturë do t’i mbroni nëse në ta vendosni qese plastike.

4. Problem janë edhe xhamat e mjegulluar, mirëpo edhe për këtë ka ilaç – shkuma e zakonshme e rrojës do t’jua zgjidh problemin.

Fërkojeni shkumën në xham me leckë letre dhe xhamat do të shkëlqejnë! /Telegrafi/