LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: S’do ta falja askënd që e sjell Kosovën si në rastin me AXOS

Haradinaj: S’do ta falja askënd që e sjell Kosovën si në rastin me AXOS

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar Telekomin e Kosovës, ku tha se gjatë qeverisjes së tij nuk do ta falte askënd që e sjell Kosovën në një situatë si të AXOS-it, por gjithashtu ka porositur se Kosovës nuk duhet t’i ndodhin raste të tilla.

Haradinaj ka takuar kryeshefin e Telekomit, Agron Mustafa, atë të Postës, Sejdi Hoxhën, si dhe me sindikatat e të dy kompanive, për t’u njoftuar me gjendjen në këto dy kompani.


Haradinaj tha se Qeveria mban përgjegjësi për gjendjen në këto kompani dhe se që nga marrja e detyrës si kryeministër, Qeveria është duke e incizuar gjendjen në terren.

“Posta e ka më vështirë, nuk është as profitabile, kanë vendosur do produkte të reja. Telefonia ka pasur sfidat e veta, por duhet të përcaktohemi për çfarë qëllimi zhvillimor duam të hecim. Besoj një kohë të caktuar kolegët nga menaxhmenti, do të mund t’i propozojnë Qeverisë planet e tyre zhvillimore, për etapën që vjen. Objektivat që duhet me qenë të qarta që t’i dakordojmë së bashku. E dimë që këtu ka dhe bord dhe menaxhment, por prapë së prapë është një kompani publike dhe duhet Qeveria e vendit të ketë të dakorduar një drejtim të caktuar, sepse kemi pasur dhe përvoja të këqija në të kaluarën, si rasti i një privatizimi të dështuar, e zhvillime tjera që i kanë nxjerrë vështirësi sektorit ku jemi, pra telekomunikacionit në Kosovë në tërësi, por dhe kompanive që janë kompani publike”, tha ai.

Kurse, sa i përket padis që AXOS i ka bërë Qeverisë së Kosovës, për mos përmbushje të kontratës, Haradinaj tha se Kosovës nuk duhet t’i përsëriten rastet e tilla.

“Megjithatë do të konsultohemi me përgjegjësit, me pa cilën rrugë me ndjek në këtë rast. Ajo që është shumë me rëndësi, me nxjerr mësim që Kosovës të mos me iu përsërit raste të tilla. Për fat të keq nuk është i vetmi rast. I kemi dhe disa situata të ngjashme. Për Kosovën nuk guxojnë me ndodh. Nëse janë duke me dëgju kolegët e mi, Qeverisë të gjithë ata që përfaqësojnë Kosovën, nuk kisha mujt me e fal dikën që e sjell Kosovën në një situatë, si të Axos gjatë qeverisjes sime, kushdo qoftë ai apo ajo”, tha ai. .

Kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa, tha se kjo ishte një vizitë e domosdoshme dhe në momentin e duhur.

“Një vizitë shumë e domosdoshme, në momentin e duhur dhe mbi të gjitha ishte një bisedim i sinqertë, bisedim i hapur dhe korrekt. Së bashku dhe me sindikatat e të dy korporatave dhe mbi të gjitha u dakorduam për hapat e mëtutjeshëm dhe të dhënat apo inputet fillestare, se si menaxhmenti të dy korporatave i shohim këto korporata në tre katër vitet e ardhshme. Të jemi në bashkëpunim më të afërt dhe më funksional me kryeministrin dhe Qeverinë e vendit, si aksionar të këtyre korporatave publike në vend”, tha ai.

E drejtori i Postës, Sejdi Hoxha, tha se e informoi kryeministrin për shërbimet e reja që janë duke i krijuar.

“Posta e Kosovës e informoj kryeministrin me shërbimet e reja që është duke i krijuar, kemi qenë me dy shërbime, kur kemi filluar si postë. Sot kemi dhjetëra shërbime të reja që i kemi krijuar dhe jemi duke punuar në vazhdimësi që të krijojmë shërbime të reja, në mënyrë që Posten e Kosovës, ta bëjmë ndërmarrje të vetqëndrueshme financiarisht”, tha ai. /Telegrafi/