LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfërisë

Haradinaj: Projektbuxheti për vitin 2024 nuk është zhvillimor, por stagnues e i varfërisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, buxhetin për vitin 2024 e ka quajtur stagnues e të varfërisë për qytetarët, ndërsa kritika adresuan edhe për investimet kapitale, pasi që sipas tyre nuk do të ketë zhvillim ekonomik.

Në tryezën e mbajtur nga Grupi Parlamentar i AAK-së me temë “Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024”, u tha se ka shumë institucione që nuk kanë përfituar rritje të buxhetit, që sipas tyre është në dëme të shtetit.


Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se projektbuxheti për vitin e ardhshëm nuk është zhvillimor, por stagnues. Ai shtoi se ky buxhet është i varfërimit dhe asesi rritje e tij.

“Projektbuxheti për vitin 2024 në parametrat e përcaktuar nga qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues si në aspektin e zhvillimit ekonomik, edhe në aspektin social dhe të standardit jetësor. Rritja nominale për vetëm 102 milionë euro, praktikisht është zvogëlim real i buxhetit kur marrim parasysh shkallen e inflacionit këtë vit dhe vitin që vjen. Rritja e koeficientit të pagave nga 105 në 110 euro nuk është rritje, është zvogëlim real i pagave, investimet kapitale gjoja të shtuara për vetëm 48 milionë euro nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik… Asnjë nga projektet e mëdha infrastrukturore nuk është realizuar as këtë vit, por janë bartur për vitin e ardhshëm me shuma të pamjaftueshme për të përfunduar edhe në vitin e ardhshëm. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme nuk është paraparë asnjë cent shtesë, s’ka rritje të buxhetit, përveç 52 milionë euro që barten nga ky vit. Investime të reja kapitale, Ministrinë e Mbrojtës në vitin 2024 nuk do të ketë. Ndarja e buxhetit në nivelin lokal, nuk është rritje, është mashtrim… Ky buxhet është i varfërimit dhe stagnimit, është vazhdim i dështimit të tri viteve të Qeverisjes Kurti”, tha Haradinaj.

Se kjo qeveri nuk është duke punuar për zhvillimet ekonomike të vendit e tha edhe Pal Lekaj. Ai tha se në buxhetin e vitit të ardhshëm ka rritje të luksit dhe jo të investimeve kapitale.

“Asnjë kërkesë e kryetareve të komunave e departamenteve që do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik për buxhetin e vitit 2024 nuk janë përkrahur. Buxheti në total për vitin 2024 është mbi 3 miliardë e 314 milionë euro, e ka ndryshuar komplet strukturën buxhetore, sepse nëse përpara kanë qenë 35 për qind në investime kapitale, sot kemi 16 për qind dhe ato projekte janë të bartura nga viti 2022/23 për vitin 2024, këtu është dështimi total i qeverisë Kurti dhe do të mbahet mend. Kjo ka ndikuar në ngecje të zhvillimit ekonomik, shumica e buxhetit kanë shkuar në skema sociale dhe subvencione që nuk janë fare transparente, aty e kanë gjet vetëm dhe mashtrimin që ja kanë bërë qytetarëve. Nëse kanë premtuar në sigurime shëndetësore, pozicioni këtu është zero. Nëse shohim luksin e kësaj qeveri, nëse krahasojmë me vitin 2021/22 është rrit shuma e këtyre kategorive për 7.5 milionë, sot e kanë rrit luksin në mallra dhe shërbime, ku aty edhe e kanë gjet vetëm dhe janë shpenzuesit më të mirë. Kjo qeveri për tri vjet do të mbahet mend edhe për ngecje në zhvillimin ekonomik, e kanë marrë qeverinë me 16 për qind të rritjes ekonomike dhe këtë vit rritja ekonomike do të jetë 3.5 që është më e ulëta në historinë e qeverive”, tha Lekaj.

Ndërkaq, kritika për qeverinë në këtë drejtim kishte edhe kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj. Ai tha se ngritja e koeficientit në 110 euro është ironike e nënçmuese. Ndërsa ka kërkuar nga qeveria të merret me këtë çështje, në të kundërtën do të ketë mungesë të kuadrove në arsim, raporton kp.

“Qeveria Kurti duke mos dashur të përballet me zërin tonë ka prirje të gabuar e të vazhdueshme që edhe kur i qajmë hallet me opozitën, ata na etiketojnë se gjoja opozita po na dirigjon neve, ose po thonë se sindikatat po kanë tendenca ta dirigjojnë opozitën. Buxheti për vitin 2024 është shokues për ne. Po ndalemi të kërkesa për koeficient. 110 ngritja është ironike e nënçmuese ngase mesatarja në arsimin para universitar do të jetë rreth 28 euro. Ne do ju drejtohemi deputetëve që edhe njëherë gjatë leximit të parë e dytë mos po ju ndërrohet mendja, sepse me 110 vetëm se shtohen pakënaqësitë. Fatkeqësia sa vjen e shtohet, ngase janë rreth 300 mësimdhënës që kanë kërkuar pushim pa pagesë me ndonjë arsyetim, pra njerëz me viza qe po na hiqen do të provojnë të shkojnë jashtë, kam frikë se do të kemi mungesë të kuadrove. Nëse na ikin mësuesit do të kemi telashe se kush do t’i mësojë fëmijët”, tha Jasharaj.

Kujtojmë se, qeveria ka miratuar para dy jave projekt-buxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë euro 314 milionë euro. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri, Albin Kurti tha se me këtë projektbuxhet rëndësi të veçantë i kanë kushtuar mbrojtjes së sigurisë. Ai theksoi se buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme do të tejkalojë 216 milionë euro, ndërkaq Ministrisë së Mbrojtjes do të ketë buxhet prej mbi 153 milionë euro.