LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj premton se do ta zgjedh problemin e Hades dhe Shipitullës

Haradinaj premton se do ta zgjedh problemin e Hades dhe Shipitullës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në orët e mbrëmjes, në Obiliq, në mjediset e Korporatës Energjetike të Kosovës, ka bashkëbiseduar me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade, për çështjen e shpronësimit të pronave të tyre.

Banorët e katër lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade të Obiliqit, i kanë shprehur kryeministrit Haradinaj shqetësimin e tyre për moszgjidhjen e problemit të shpronësimit të pronave prej shumë vjetësh nga KEK-u. Ata theksuan se vlerësimet e pronave të tyre janë bërë në mënyrë të padrejtë dhe njëkohësisht kërkuan zgjidhjen e çështjes së punësimit të banorëve të fshatrave të Obiliqit.


Haradinaj iu tha atyre se zgjidhja e problemit të tyre do të bëhet me angazhimin e plotë të të gjithë mekanizmave dhe Qeverisë. Ai tha se do të bëhet rivlerësimi i pronave dhe njëkohësisht do kërkojë edhe punësimin e nga një anëtari të familjeve të dy fshatrave në Obiliq.

Kryeministri po ashtu kërkoi krijimin e një komisioni të përbashkët me përfaqësuesit e lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade, në përbërje të të cilit do të jenë edhe ministrat e Qeverisë, ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zhvillimit Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Komunës së Obiliqit e të KEK-ut, të cilët do të takohen në Kryeministri për ta nisur procesin e zgjidhjes së problemit të shpronësimit.

Haradinaj shfaqi gatishmërinë e tij për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj çështje. Ai tha se prodhimi i energjisë në KEK nuk mund të ndalet meqë është jetik për qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. /Telegrafi/