LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Masa ekonomike ndaj Serbisë mund të rritet

Haradinaj: Masa ekonomike ndaj Serbisë mund të rritet

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i djeshëm i Qeverisë së Kosovës për të vënë një masë ekonomike prej 10% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja nuk është bërë nga dëshira.

“Serbia eksporton në tregun e Kosovës mallra me vlerë qindra-miliona euro, ndërsa veprimet i ka armiqësore ndaj Kosovës. Më të rëndat janë kërcënimet ndaj familjeve anëtarët e të cilave janë pjesë e FSK-së. Nëse Kosova lejon këto kërcënime sot mund t’u ndodhë edhe familjeve të tjera. Bosnja e ka shfrytëzuar çdo rast që të sillet armiqësisht ndaj Kosovës – bllokimi i mundësisë për lëvizje, mosnjohja e dokumenteve dhe të tjera na kanë bërë që të veprojmë kështu”, ka thënë Haradinaj, njofton Klan Kosova.


“Ka pas shpresë se proceset do të shkojnë kah normalizimi, kah ulja e veprimeve armiqësore dhe bojkotuese dhe dëmtuese për proceset. Meqë hetohet një rritje e këtyre veprimeve edhe ne kemi vepruar. Ishte vendim që nuk e kemi marrë nga qejfi por nga zori. Qeveria e votoi unanimisht”.

Haradinaj në intervistën e dhënë për Info Magazine ka thënë se masa prej 10% edhe mund të rritet nëse Serbia nuk ndryshon qasje karshi Kosovës.

“Mund të shkojë pakufi një masë e tillë, mund të rrihet dhe mund të merren masa më të mëdha. Mund të kalojmë në masa të tjera”.

“Ne jemi të interesuar që tregtia dhe qarkullimi i mallrave të jetë i lirë. Por nuk mund të jetë i lirë vetëm për njërën palë. Nuk është lojë kjo që po bëjmë. Jo vetëm që do të qëndrojë kjo masë por edhe mund të rritet”.