LAJMI I FUNDIT:

​Haradinaj: Gjendja me COVID-19 në Ferizaj, në kontroll

​Haradinaj: Gjendja me COVID-19 në Ferizaj, në kontroll

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vijuar ditën e sotëm vizitat nëpër vend duke u ndalur në komunën e Ferizajt. Aty, ish-kryeministri është pritur nga drejtori për Shëndetësi i kësaj komune, Bekim Ademi.

Pas takimit, Haradinaj tha se gjendja me COVID-19 në Ferizaj tashmë është nën kontroll ndërsa shprehur mirënjohje për të gjithë punën që është bërë nga personeli shëndetësor.


“Ndaluam sot të shohim për së afërmi mobilizimin e të gjithë personelit mjekësor në Ferizaj me qëllim që t’i falënderojmë për një punë vërtetë të madhe që e kanë bërë, tepër të kujdesshme që me u përballu pandemia ne Ferizaj. Ferizaj ka një numër të caktuar të qytetarëve të identifikuar, ka pasur dy raste tragjike, mirëpo tash shihet se gjendja është në kontroll po përmirësohet shpresoj shumë që Kosova do ta mbajë mend, të gjitha nivelet institucionale, gjithë shoqëria jonë, heroizmin e mjekëve, personelit mjekësor në këto ditë të vështira, ju shpreh falënderime dhe mirënjohje për punën që e keni bërë”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, drejtori i Shëndetësisë, Bekim Ademi, pati vetëm falënderime për kryetarin e AAK-së pasi tha se në kohën sa ka qenë kryeministër ka pasur investime të rëndësishme.

“Ju jemi mirënjohës për vizitën që i keni bërë për përkrahjen që po i jepni personelit shëndetësor, e jo vetëm për përkrahjen e ditës së sotme por për përkrahjen edhe gjatë qeverisjes tuaj të cilën e kanë gëzuar personeli mjekësor, qoftë ajo në aspektin infrastrukturor, qoftë ajo me ligjin e pagave të cilin ajo fatkeqësisht nuk e zbatuam, por shpresojmë që shumë shpejtë ai ligj të zbatohet përndryshe vetëm kështu po mendojmë që ta rrisim mirëqenien dhe vullnetin për punë të personelit shëndetësor. Sa i përket investimeve kapitale, në kohën e qeverisjes Haradinaj përpos spitalit të qytetit i cili është në ndërtim e sipër e që po pritet të përfundohet në vitin e ardhshëm kemi pasur edhe investime të tjera në aparatura për çka jemi mirënjohës në emër të kryetarit Aliu dhe të gjithë qytetarëve të komunës sonë”, përfundoi Ademi.

Ndryshe, Haradinaj ka vizituar edhe degën e AAK-së në Ferizaj, në 20-vjetorin e themelimit e të saj, ku ka takuar asamblistë dhe drejtorë të partisë në Kuvendin Komunal e në qeverisjen komunale. Haradinaj ka shkruar se ky ishte rast i mirë për të hedhur vështrimin në dy dekadat e shkuara, në mënyrë që të bëhet një bilanc historik i të arriturave dhe sukseseve që AAK i ka sjell Ferizajt gjatë mandatave dyvjeçare. /KP/