LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Është hera e parë që e kemi rritur vetëbesimin në prodhim

Haradinaj: Është hera e parë që e kemi rritur vetëbesimin në prodhim

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku u prit nga kryetari Agim Shahini me bashkëpunëtorë, ndërsa pas takimit mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të vitit të AKB-së.

Në konferencë, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se viti 2019 nuk ka qenë vit i lehtë për ekonominë e vendit, duke kujtuar disa ngjarje që e kanë shënuar këtë vit. “Mendoj se është e arritur e madhe fakti se ka arritur të implementohet Ligji për “Trepçën”, sepse duke u implementuar ky ligj për “Trepçën”, jep disa efekte: E para krijon situatë të pastër të statusit ligjor të resurseve në vendin tonë, të gjitha resurseve, pra me këtë përmbyllet kapitulli se të kujt janë resurset ose pasuritë natyrore të vendit tonë dhe kësisoj Trepça është e gatshme për të operuar dhe për të bërë biznes. Po ashtu, është e arritur ekonomike afatgjate për Kosovën që do të ketë efekte të mira pavarësimi energjetik i Kosovës i cili do ta ndihmoj vendin, për shkak se tani jemi kthyer në pronar të vetvetes, hapësirës dhe tregut tonë energjetik, dhe tani mund të kthehemi në palë kontraktuese si ndodhi me Shqipërinë, unifikimi i tregut apo marrëdhëniet kontraktuale që kanë filluar”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj dhe shtoi se është bërë edhe lirimi për lëndën e parë për prodhim dhe për makineritë, ndërsa vlerësoi se duhet zgjidhur edhe çështja akcizës në naftë për bujqit.


“Për herë të parë pas vendosjes së taksës e kemi zbuluar veten se kush jemi në ekonomi, sepse taksa na ka detyruar të ballafaqohemi me vetveten, edhe tregtarin, edhe prodhuesin edhe shërbyesin dhe të gjithë. Duhet t’i gëzohemi faktit se tani e njohim veten në prodhim, kush jemi ne, kush është Kosova, kush është ekonomia e Kosovës në prodhim. Është hera e parë që e kemi rritur vetëbesimin në prodhim, në produktet tona, në ekspertizën tonë dhe konsumatori, qytetari i Kosovës është njohur me to dhe kjo është një ngjarje e madhe”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është e vërtetë se është rritur eksporti i Shqipërisë për 30 për qind në Kosovë, ka mbërri në 70 milionë, duke u shprehur i bindur se sikur të kishte pas një qasje më të hapur të ndërsjellë kjo gjendje do të ishte dukshëm më e mirë.

“Është gabim i madh vendosja e taksës në Rrugën e Kombit, dhe e çmimit për skaner për një transportues 42 euro, dhe kjo ka rezultuar me 13 milionë euro taksë për shkëmbimet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Haradinaj tha se i është vendosur një dënim marrëdhënies Kosovë Shqipëri, prej 13 milionë eurosh për qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave.

“Sikurse këto 13 milionë euro t’i kishim investuar në lehtësirat e qarkullimit të ndërsjellë jam i sigurt që prej atyre 450 milionëve Shqipëria do të mund të ishte rritur shumë. Kjo tregon se ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë Kosovë – Shqipëri por përkundrazi i kemi vendosur vetës pengesa duke e fajësuar njëri tjetrin”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj theksoi se përkundër vështirësive që na presin ose e presin qeverinë e ardhshme, do të ishte shumë gabim nëse qeveria e ardhshme mendon ta heq taksën pasi atë nuk mund ta heq Qeveria e Kosovës por vetëm Serbia me njohjen e shtetit tonë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, foli për zhvillimet pozitive që i ka sjell për ekonominë e vendit, vendosja e taksës nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe e falënderoi këtë të fundit për qëndrueshmërinë e taksës.

Ai tha se efekti i taksës ka qenë shumë i madh dhe ka rritur qarkullimin e brendshëm mbi 100 milionë dhe punësimin rreth 5 mijë të rinj. /Telegrafi/