LAJMI I FUNDIT:

Haradinaj: Disa aspekte të punës sonë nuk janë përfshirë në Raportin e KE-së për vendin

Haradinaj: Disa aspekte të punës sonë nuk janë përfshirë në Raportin e KE-së për vendin

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, në të cilin është diskutuar për të gjeturat e Raportit të KE-së për Kosovën 2019, Agjendën e Reformave Evropiane dhe Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së.

Haradinaj, tha se në këtë raport janë dhënë vlerësimet për të arriturat në vend, por edhe vërejtjet, kritikat dhe të gjeturat tjera, të cilat na obligojnë së bashku që të ballafaqohemi me to.


“Shprehim bindjen tonë se disa aspekte të punës sonë kanë mbetur të pa përfshira në këtë raport, megjithatë është detyra jonë që t’i përvishemi punës bazuar edhe në të gjeturat e raportit për vendin, në mënyrë që të ecim me gjitha temat që i kemi para nesh”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke theksuar se ambicia e institucioneve të Kosovës është statusi i kandidatit për Kosovën, kryeministri Haradinaj tha se nuk mund të mbetemi në vazhdimësi të kushtëzuar vetëm nga zbatimit i MSA-së.

“MSA duhet të ecë përpara, por disa ngecje në zbatim të MSA-së janë të lidhura edhe me faktin e mos njohjes së pesëshes dhe disa zhvillimeve të tjera. Kosova mund në të njëjtën kohë të bëhet gati për statusin e kandidatit. Ajo që na ka ardhur mirë të gjithëve dhe që po pranohet edhe nga qeveritë veç e veç, pas Qeverisë Gjermane, është gjuha në raport për urgjencën për liberalizimit të vizave dhe besoj se do të punojmë në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në zbatimin e MSA-së dhe temat që i trajton raporti.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, tha se pas publikimit te Raportit nga Komisioni Evropian, është koha të reflektohet mbi të gjeturat e këtij raporti dhe është shumë e rëndësishme që të diskutohen dhe evidentohen edhe fushat në të cilat ka ngecje në zbatim, dhe të dilet me një plan konkret se si të tejkalohen këto sfida, ku secili nga ne do të përmbush obligimet e dala nga këto raporte brenda afateve të caktuara.

“Sa i përket zbatimit të ERA, përkundër të arriturave ne duhet të fokusohemi se çka mund të bëjmë më tepër, sidomos në masat në zbatim e sipër. Është e papranueshme që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve na përsëriten ndër vite”, tha ministrja Hoxha.

Gjatë këtij takimi, në të cilin u shqyrtua Raporti i KE-së për Kosovën 2019, në mënyrë specifike u diskutua për zbatimin e ERA 2016-2019, hartimi i ERA 2019-2020, në shtyllat si; qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, konkurrueshmëria, investimet dhe zhvillimi i qëndrueshëm, punësimi dhe arsimi, si dhe zbatimi PKZMSA 2019-2023.

Në fjalën përmbyllëse, kryeministri Haradinaj kërkoi përkushtim më të madh nga ana e institucioneve të Kosovës në adresimin e të gjitha sfidave. /Telegrafi/