LAJMI I FUNDIT:

Hapet shkolla e Gurishtës

Hapet shkolla e Gurishtës

Sot, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, fshati Gurishtë, u bë me shkollë të re.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se baza e zhvillimit të një vendi është arsimi cilësor.


“Ne jemi të përkushtuar që të rrisim cilësinë, përmes krijimit të kushteve sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Juve arsimtar të kësaj shkolle, ju mbetet të punoni sa më shumë, pasi vetëm me punë ne mund ta ndërtojmë vendin tonë, e ju më së miri mund ta bëni këtë, duke na dhënë kuadro të reja të përgatitura mirë. Të punosh për vendin është përgjegjësi e të gjithëve”, tha Begaj.

Drejtori për arsim, Avdi Morina tha “Në emër të drejtorisë komunale për arsim, ju uroj për objektin e ri të shkollës suaj dhe ju uroj për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/17. Është përgjegjësi e jona, që të krijojmë kushte sa më të mira dhe këtë jemi duke e bërë, përmes investimeve në arsim”.

Ndërsa për historikun e shkollës, foli drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Nuhi Mazreku” në Gurishtë, Xhevdet Mazreku, i cili në mënyrë kronologjike, kujtoi rrugëtimi e kësaj shkolle, deri në pavarësimin e saj, më 2008, ku edhe mori emrin Nuhi Mazreku, ish-mësues i kësaj shkolle, tani dëshmor i kombit.

Ndërtimi i këtij objekti modern, është bërë nga buxheti komunal i Malishevës dhe ka kushtuar rreth 300 mijë euro.