LAJMI I FUNDIT:

Hamasi është ISIS-i që duhet mposhtur

Hamasi është ISIS-i që duhet mposhtur

Tamar Ziv, ambasadore e Izraelit në Kosovë

Aktualisht, jeta jonë është ndarë në dy periudha kohore: në kohën para 7 tetorit 2023 dhe kohën pas asaj date. Në vazhdën e masakrës së egër të kryer nga Hamasi mbi civilët e pafajshëm në mëngjesin e Shabbtit, në një ditë feste fetare, gjithashtu, Izraeli po kalon në një fazë plot me tronditje, dhimbje dhe tmerre. Dora më dridhet teksa shkruaj këto fjalë duke përshkruar vetëm një pjesë të këtij sulmi brutal. Por, nuk mund t’i mbyllim sytë para kësaj situate. Duhet të përballemi me këtë të keqe absolute, për të kuptuar se pse Izraeli është i vendosur për ta mposhtur këtë makinë vrastare.


Duke filluar nga ora 06:30 e mëngjesit të së shtunës, mbi dy mijë terroristë të armatosur hynë nëpër shtëpi dhe vranë familjet e tëra teksa flinin. Hidhnin raketa në dhomat e gjumit. Nënat i fshehën fëmijët e tyre në dollapë, dëshpërimisht duke u përpjekur që foshnjat e tyre të mos qanin, por Hamasi nuk i kurseu as gratë dhe as fëmijët. Me tela hekuri lidhën nënën me vajzën, gjyshen me nipin, dhe i dogjën të gjallë. Mos i mbyllni sytë para kësaj të keqe. Duhet të dini se çfarë ndodhi. Ua prenë kokat foshnjave me thika, përdhunuan vajzat e reja, ia prenë barkun një gruaje shtatzënë. Ia vunë flakën ndërtesave, duke i djegur ato përtokë, ndërsa njerëzit ishin të fshehur brenda. Sulmuan të rinjtë dhe të rejat që festonin në një festival muzikor në natyrë. I ndoqën të rinjtë që po iknin, duke i qëlluar dhe vrarë me mizori të papërshkrueshme. Disa qindra të rinj dhe të reja u therën pikërisht atje, në pyll. Duke përdorur dhunë të papërshkrueshme, rrëmbyen familje të tëra, duke përfshirë foshnjat gjashtëmuajshe dhe fëmijët e tmerruar, prindërit e të cilëve sapo ishin vrarë para syve të tyre.

Rreth 1 400 izraelitë u vranë në një akt brutal të masakrës masive, minutë pas minute, për shumë orë. A u turpëruan vrasësit për veprimet e veta? Absolutisht jo. Me entuziazëm i dokumentuan mizoritë dhe i transmetuan drejtpërdrejt. Dhe, gjatë masakrës masive, rreth 200 njerëz u rrëmbyen dhunshëm nga shtëpitë e veta për në strofullat e errësirës së Hamasit, duke përfshirë një grua 85-vjeçare dhe foshnjat e vogla gjimarrëse që kërkonin nënat. Babai i një prej fëmijëve të vrarë, një vajze të ëmbël tetëvjeçare të quajtur Emily, tha: “U lehtësova kur dëgjova se vajza ime e vogël u vra dhe nuk u zu rob nga Hamasi”.

Ka nga ata që i përshkruajnë këto veprime si ‘sjellje kafshësh’. Kjo është e pasaktë. Kafshët nuk sillen në këtë mënyrë. Njerëzit që torturuan gjakftohtësisht familjet e tëra deri në vdekje, nuk janë kafshë. Janë monstra njerëzore. Aktet e tmerrshme të 7 tetorit, në mendjet e shumë izraelitëve zgjuan emocionet e tmerrit dhe të pafuqisë që t’i kujtojnë bodrumet e kujtesës kolektive të Holokaustit. Shteti i Izraelit u krijua për të shërbyer si një shtëpi për popullin hebraik. Për t’u siguruar që hebrenjtë të mos çohen kurrë më drejt vdekjes, vetëm sepse thjesht janë hebrenj. Prandaj, tronditja e tmerrshme po mbizotëron tani në Izrael. Nuk ka buzëqeshje, vetëm mjerim dhe traumë të thellë. Por, ka gjithashtu një ndjenjë të fortë ‘bashkimi’ dhe një bindje e thellë e brendshme se duhet të luftojmë kundër kësaj organizate terroriste dhe ta mposhtim atë, për ta zhdukur kërcënimin e asgjësimit që varet mbi fëmijët tanë. Po luftojmë për shtëpinë tonë. Për të drejtën tonë për të jetuar!

Për shumë vite, besimi se duhet gjetur një mënyrë pragmatike për të jetuar përkrah Hamasit, duke e ruajtur një status quo të caktuar të bazuar në konsiderata racionale, mbizotëronte në Izrael dhe në kryeqytetet perëndimore, edhe pse ideologjia e tij e dhunës dhe antisemitizmit ishte e mirënjohur. Gjithmonë e dinim se kush dhe çfarë është Hamasi, sepse e njihnim doktrinën e tij. E lexojmë Kartën e Hamasit: Dokumenti themelues i Hamasit i autorizuar nga Sheikh Ahmed Yassini më 1988 – dokumenti më i rrezikshëm antisemitik i shkruar në botë, që nga Holokausti. Karta e Hamasit fajëson hebrenjtë për të gjitha të këqijat gjatë historisë, dehumanizon hebrenjtë dhe refuzon çdo zgjidhje politike të konfliktit arabo-izraelit. Në shumë prej neneve të saj, siç është pika 13, Karta e Hamasit thotë se “nuk ka zgjidhje për problemin palestinez, përveç nëpërmjet Xhihadit”, që do të thotë një “luftë e shenjtë”. Por, Karta e Hamasit gjithashtu flet, në mënyrë eksplicite, për një gjenocid të ri ndaj popullit hebraik. Neni 7 bën thirrje për vrasjen e hebrenjve në çdo cep të botës, duke cituar si vijon: “… gurët dhe pemët do të thonë: ‘O mysliman, o rob i Allahut, është një çifut i fshehur [prapa] meje, eja dhe vrite atë.'”

Dhe, kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Erdhën për të vrarë.

Për shumë vite, liderët e bashkësisë ndërkombëtare e kanë kërkuar këtë nga Izraeli: Mos dëgjoni çfarë shkruan Hamasi dhe çfarë thotë Hamasi. Shpërfilleni ideologjinë dhe retorikën e saj të tmerrshme. Pavarësisht kërcënimeve, Hamasi dëshiron të përmirësojë kushtet e jetesës së dy milionë palestinezëve që jetojnë nën diktaturën e zymtë, për t’u garantuar atyre një jetesë, për t’i lejuar ata të peshkojnë dhe të ndërtojnë një infrastrukturë. Sulmi i planifikuar ndaj Izraelit më 7 tetor, vërtetoi se ky koncept ishte i gabuar. Hamasi nuk është i interesuar për bashkëjetesë apo për paqe. Hamasi nuk është i interesuar për një jetë më të mirë për dy milionë banorët e Gazës, por për zhbërjen e shtetit hebraik dhe vrasjen e qytetarëve të tij. Ky nuk është vetëm qëllimi i tij ideologjik xhihadist, por edhe mënyra e vetme e veprimit. Hamasi është ISIS, një ISIS palestinez që fatkeqësisht gëzon marrëdhënie me publikun dhe dhembshuri shumë shqetësuese nga disa prej popullsive kryesore të botës, përfshirë disa nga mediat.

A ka një akt më të thellë vetëmbrojtjeje sesa kur Izraeli sulmon organizatën terroriste Hamas, për t’u mbrojtur? Izraeli nuk po e sulmon popullin palestinez. Në fakt, Izraeli nuk përbën asnjë kërcënim për Autoritetin Palestinez në Ramallah, për sa kohë që ai nuk i bashkohet sulmit ndaj Izraelit. Hamasi nuk është i interesuar të krijojë një shtet palestinez, përkrah Izraelit, por vetëm për shkatërrimin e shtetit të Izraelit.

Përkundrazi: krijimi i një shteti palestinez është drejtpërdrejt kundër konceptit të Hamasit për qëllimin e vet përfundimtar – krijimin e një shteti islamik në të gjithë territorin, duke përfshirë territorin e Izraelit. Nuk i intereson më krijimi, por shkatërrimi total. Jo për paqe, por për luftë të përjetshme derisa islami ekstrem të marrë pushtetin. Zgjidhja e vetme, sipas Hamasit, është shkatërrimi i Izraelit dhe asgjësimi i banorëve të tij.

Hamasi nuk heziton të sakrifikojë palestinezët në përpjekjen për të arritur këtë qëllim monstruoz. Nuk ka liri në Gazë, nuk ka liri të fjalës dhe as liri feje. Por, situata është shumë më e dëshpëruar: Hamasi vendosi bazat ushtarake brenda përqendrimeve të popullsisë civile në Gazë, plotësisht e vetëdijshme se fotografitë e civilëve të vdekur palestinezë, janë arma e tij më e fuqishme. Kjo organizatë fsheh raketat poshtë spitaleve dhe shkollave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Palestinën (UNRWA) dhe e godet Izraelin nga këto vende, në pritje të transmetimeve të drejtpërdrejta në rrjetet televizive. Në të vërtetë, shumë reporterë – jo vetëm ata të kanalit “Al Jazeera” me bazë në Katar që përhapin propagandë të rreme të Hamasit, por edhe reporterë nga mediat perëndimore – automatikisht nxitojnë të transmetojnë propagandën e Hamasit, pa asnjë verifikim.

Mos bini në grackën e mburojës njerëzore! Të vetmet subjekte që duhen fajësuar për vdekjen e civilëve të pafajshëm në Rripin e Gazës, janë Hamasi dhe organizatat e tjera ekstremiste në Gazë që fshihen mes grave dhe fëmijëve, mes njerëzve të vet. Duke vepruar me ligësi të paramenduar dhe të qëllimshme, janë ata – jo Izraeli – që janë përgjegjës për këto viktima tragjike. Izraeli po e mbron veten dhe po lufton për jetën e vet, ndërsa si një demokraci e vërtetë, po bën gjithçka që është në fuqinë e tij për të shmangur dëmtimin e të pafajshmëve. Po e ushtron fuqinë e jashtëzakonshme ushtarake, në mënyrë të kujdesshme dhe të kontrolluar, duke vepruar brenda kufizimeve të ligjit ndërkombëtar, ndërsa Hamasi dokumenton me krenari aktet dhe krimet kundër njerëzimit.

Ta keni të qartë: Lufta kundër Hamasit nuk është luftë private e Izraelit. Kjo është një betejë jo vetëm për të ardhmen e gjithë Lindjes së Mesme, por për të ardhmen e botës në të cilën jetojmë. Tashti, koha është gjithashtu e ndarë në dysh. Në njërën anë të botës, një aleancë e çmuar dhe e rëndësishme po krijohet midis Shteteve të Bashkuara, shumë shteteve evropiane dhe Izraelit, ndërsa në anën tjetër po formohet një koalicion djallëzor i disa vendeve shumë problematike dhe grupeve terroriste barbare, nga të cilët Hamasi dhe Hezbollahu janë më të dalluarat.

“Ju nuk jeni vetëm, ne ju qëndrojmë pranë”, tha presidenti Biden gjatë vizitës së tij të fundit në Izrael. U mbushëm me krenari kur pamë dhe dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara të shprehte mbështetjen e plotë për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar në siguri dhe për detyrën e tij për të zhdukur Hamasin.

Edhe liderë të tjerë botërorë shprehën solidaritetin e tyre, përfshirë liderët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Nga ana tjetër, megjithatë, ka vende të tjera që vazhdojnë të hezitojnë përballë kësaj organizate terroriste vrastare, duke refuzuar ta dënojnë atë, ndërkohë që vazhdojnë të presin disa nga liderët e saj në vendet e tyre përkatëse.

Tashti, koha juaj është gjithashtu e ndarë në dy. 7 tetori ju detyron të merrni masa të menjëhershme. Të bëni gjithçka në fuqinë tuaj për të përshpejtuar kthimin e të rrëmbyerve në shtëpitë e veta. Bëhet fjalë për gra të cilave u janë vrarë fëmijët para syve, për fëmijët që kanë mbetur pa prindërit. Një grua 85-vjeçare. Të gjithë janë rrëmbyer me dhunë dhe mbahen nga një organizatë vrastare.

Mbrojtja e Hamasit është mbrojtje e ISIS-it dhe al-Kaedës, dhe kushdo që ndjek këtë politikë, në mënyrë të pashmangshme i sjell vrasësit në shtëpinë e vet. Ku qëndroni në këtë hartë morale?