LAJMI I FUNDIT:

Hakohen Bitcoina në vlerë mbi 60 milionë dollarë, dyshohet se është punë e brendshme e kompanisë (Foto)

Hakohen Bitcoina në vlerë mbi 60 milionë dollarë, dyshohet se është punë e brendshme e kompanisë (Foto)

Shërbimi i gërmimit ‘Nicehash’ raportohet të jetë hakuar të enjten, ndërsa shuma e vjedhur është mbi 60 milionë dollarë.

Përdoruesit e këtij shërbimi kanë raportuar se mjetet e tyre janë transferuar nga adresat e tyre të brendshme të Bitcoinit në një adresë të vetme Bitcoini, e cila kontrollohet nga një palë e panjohur, shkruan Telegrafi.


Kompania ka publikuar një deklaratë, ku ndër tjerash ka treguar se janë duke e hetuar rastin në bashkëpunim me autoritetet relevante.

Por, skeptikët thonë se e tërë kjo ka mundur të jetë punë e brendshme, sepse, sipas tyre, aksionar i ‘Nicehash’ është Martin Skorjanc, babai i Matjaz Skorjanc, i cili ishte arrestuar më parë për krime kibernetike nga policia sllovene me ndihmën e FBI-së.

Për këtë ai kishte mbajtur burg sepse kishte shpërndarë një virus në mbi 13 milionë kompjuterë anë e mbanë botës.

Dhe, duke marrë parasysh të kaluarën kriminale, përdoruesit e këtij shërbimi për shitblerjen e kriptovalutave të tyre nuk e përjashtojnë mundësinë se e tërë kjo ka mundur të jetë punë e brendshme!

Pronarët e kompanisë “Nicehash”

Pronarët e kompanisë ‘Nicehash’ u janë drejtuar të enjten klientëve përmes një ‘Livestream’-i në Facebook, ku kanë treguar se janë vjedhur rreth 4.700 Bitcoina dhe një haker me IP adresë jashtë Evropës ka arritur të fitojë akses në kompjuterët e kompanisë. Përmes këtij aksesi, hakeri (apo hakerët) i kanë vjedhur kredencialet e inxhinierëve dhe i kanë përdorur për të fituar qasje në sistemin e pagesave.

Vlen të ceket se kjo vjedhje ka ndodhur në një moment shumë kritik, ku këto ditë Bitcoin ka arritur të kalojë shifrën prej 16.000 dollarëve. /Telegrafi/