LAJMI I FUNDIT:

Hajdari: Nuk kanë mbetur shumë prona të uzurpuara të AKP-së (Video)

Hajdari: Nuk kanë mbetur shumë prona të uzurpuara të AKP-së (Video)

Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Ekrem Hajdari, në emisionin “Përballje” ka thënë se procesi i privatizimit ka arritur objektivat e tij dhe se ka qenë trasnsparent për këtë vit.

Sipas tij, ishin gati dymijë ofertues të brendshëm dhe të jashtëm në valët e privatizimit më 2017 dhe “çdo valë e privatizimit ka kontribuuar në ngritjen e nivelit të shitjes dhe kthimin e besimit të investitorëve në këtë institucion”.


Në emisionin “Përballje” – prodhim i Telegrafit me gazetarin Muhamet Hajrullahu – Hajdari ka folur edhe për lirimin e pronave të uzurpuara të AKP-së anekënd vendit.

“Kemi vazhduar me lirimin e pronave të uzurpuara. Për këtë kemi pasur bashkëpunim të mirë me Policinë. Aksioni për lirimin e pronave intensitetin më të madh e ka pasur më 2015-2016. Kemi pasur edhe raste sociale që në listat tona kanë figuruar si uzurpatorë. Sidoqoftë, sot mund t’i numërojmë në gishta pronat e uzurpuara të AKP-së”, ka deklaruar Hajdari, teksa shprehet se lirimi i tyre në pjesën veriore të vendit do të ndodhë shumë shpejt. “Në pjesën veriore nuk besoj që janë mbi 15, apo maksimum 20 raste të pronave të uzurpuara. Lirimi i tyre do të ndodhë në bashkëpunim me të gjithë akterët lokalë e me Policinë”, ka deklaruar Hajdari.

Sipas kreut të AKP-së, me lirimin e këtyre objekteve, vlera e qerasë është ngritur dukshëm, deri në shtatë milionë nga katër milionë sa ishin deri tash.

Hajtari shton se në fondin e privatizimit të AKP-së janë afër 500 milionë euro, ndërsa deri tash janë privatizuar 45 për qind e aseteve. 55 për qind të aseteve tjera janë të planifikuar të privatizohen në shtatë vitet e ardhshme. /Telegrafi/