Hailey Bieber ka dhënë një përgjigje të fuqishme dhe plot klas ndaj njerëzve që kanë bërë komente ofenduese për pamjen e saj.

Modelja 28-vjeçare foli hapur gjatë episodit të fundit të podkastit “In Your Dreams With Owen Thiele”, duke iu kundërpërgjigjur atyre që thonë se ajo “duket transgjinore”.


“Kur njerëzit përpiqen të jenë të këqij, thonë: ‘Ajo duket si transgjinore’. Dhe unë u them: ‘Pse mendon se kjo është një sharje?’”, tha Hailey, duke shtuar se disa nga gratë dhe burrat më të bukur në botë janë transgjinorë, shkruan DailyMail.

Themeluesja e markës së bukurisë Rhode theksoi se nuk e merr kurrë këtë si ofendim dhe se është krenare që njerëzit trans janë pjesë e komunitetit të modës dhe artit.

Pas deklaratave të saj, fansat e mbështetën fuqishëm në rrjete sociale, duke e lavdëruar për qëndrimin kundër transfobisë.

“Hailey i kritikoi ata që përdorin fjalën ‘trans’ si fyerje” – shkroi një ndjekës, ndërsa një tjetër e quajti sjelljen e saj “të denjë për një mbretëreshë”.

Modelja nuk është e panjohur me komentet e ashpra online dhe shpesh ka folur hapur për mënyrën se si i përballon ‘trollët’ dhe lajmet e rreme, sidomos ato që lidhen me martesën e saj me Justin Bieber.

“Kam luftuar shumë që njerëzit të më kuptojnë, por ndonjëherë ata thjesht nuk duan”, tha ajo më herët për Vogue.

Gjatë të njëjtit episod, Hailey foli edhe për jetën familjare me Justin dhe djalin e tyre njëvjeçar, Jack Blues.

Ajo tregoi se dëshiron të ketë më shumë fëmijë në të ardhmen dhe se prindërimi e ka bërë të ndihet më e plotësuar se kurrë.

“Gjithmonë e dija që doja të isha nënë”, – tha ajo. “Çdo ditë mësoj diçka të re për veten time dhe për djalin tim”.

Me përgjigjen e saj të shkurtër por të mençur, Hailey Bieber jo vetëm që i mbylli gojën kritikëve, por dha edhe një mesazh të fortë për respekt, përfshirje dhe vetëpranim. /Telegrafi/