GTA VI pritet t’i japë shtysë PlayStation 5, por çmimet e memories po i kushtojnë shtrenjtë Sonyt

Sony pritet të jetë një nga përfituesit kryesorë të publikimit të “Grand Theft Auto VI”, por momenti vjen kur kompania po përballet me rritjen e çmimeve të çipave të memories dhe me presion mbi koston e prodhimit të PlayStation 5.
Loja e shumëpritur e Take-Two dhe Rockstar Games është planifikuar të dalë më 19 nëntor dhe, në fazën fillestare, do të jetë vetëm për konsola, transmeton Telegrafi.
Analistët vlerësojnë se pjesa më e madhe e blerësve të rinj mund të zgjedhin PS5, duke i dhënë Sonyt mbështetje në shitjen e pajisjeve dhe të lojërave digjitale.
Megjithatë, GTA VI po mbërrin në një fazë të vonshme të ciklit të PS5, i cili u lançua në vitin 2020.
Sipas analistëve të cituar nga Reuters, loja mund ta zbusë rënien e shitjeve të konsolës këtë vit, por ndikimi do të ishte më i madh sikur publikimi të kishte ndodhur më herët.
Investimet masive në inteligjencën artificiale kanë rritur kërkesën dhe çmimet e memories, duke prekur edhe prodhuesit e elektronikës.
Sony ka siguruar furnizimet për vitin aktual financiar, por pret që çmimet të mbeten të larta edhe vitin e ardhshëm.
Kjo mund ta detyrojë kompaninë të prodhojë më pak konsola ose të pranojë marzhe më të ulëta.
Presioni pritet të vazhdojë edhe për gjeneratën e ardhshme të PlayStationit.
Analistët parashikojnë se pajisja pasuese mund të ketë çmim premium, ndërsa kostot e memories dhe ndryshimi drejt shpërndarjes digjitale po riformësojnë ekonominë e tregut të konsolave. /Telegrafi/






































