LAJMI I FUNDIT:

Grupi Albania dhe vala e re muzikore e viteve 1980: Nga malet e Skocisë, në çerdhen e shqiponjave!

Grupi Albania dhe vala e re muzikore e viteve 1980: Nga malet e Skocisë, në çerdhen e shqiponjave!
Disku i grupit Albania

Në vitin 1980 Britania e Madhe nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. “Rezervat e arit, të cilat gjendeshin në bankën e Anglisë, e të cilat i takonin Shqipërisë, ne u munduam që me pagëzimin e grupit –  Albania dhe me presion muzikor të ndikojmë që kjo pasuri të kthehet në këtë shtet, sepse mendonim që kjo është një padrejtësi”, përgjigjej K.Y. McKay në pyetjen rreth emërtimit të grupit

Nga: Lulzim Shala (shkrimi për herë të parë u publikua në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, më 1999)

Një ditë, kur dikush do të ulet e ta shkruajë historikun e muzikës së popullarizuar, mesiguri që vëmendje të madhe do t’i kushtojë periudhës së viteve të ‘80-ta, kur në skenë, pas valës së pankut dhe “Sex Pistols”, dalin grupet e ashtuquajtura të valës së re “The Fall”, “Fischer – Z”, “Slaughter And The Dogs”, “The Drones”, “Siouxie Sioux”, “The Clash”, “Magazine”, “Buzzocsks”, “Echo The Bunnymen”, “Explodes”, “A Certain Radio” etj, si dhe “Joy Division”, grup ky për të cilin kemi shkruar në numrat e kaluar të shtojcës sonë.

Përfaqësues i denjë i kësaj vale të re në muzikën e popullarizuar ishte edhe grupi skocez Albania, për të cilin shumë pak është shkruar e për të cilin mjerisht shumë pak njerëz dinë se ka ekzistuar. Për këtë arsye njohuritë për këtë grup janë të pakta. Ky bend, sikur edhe “Joy Division”, por edhe shumë grupe të tjera të këtij drejtimi, nuk pati, për fat të keq, jetë të gjatë, meqë veproi prej viti 1978-1982. Gjatë kësaj kohe grupi editoi vetëm një album “Are You All Mine”.

Nick Ash theksonte se ka prejardhje shqiptare

Grupi veprimtarinë e filloi në Glasgou të Skocisë në vitin 1978. Nuk kishin shumë para për të nisur veprimtarinë krijuese, por kishin dëshirën e flaktë dhe talentin për të arritur diçka në këtë drejtim. Vështirësi të madhe paraqiste edhe e dhëna që në Glasgou atëbotë nuk kishte fare mundësi të incizohej ndonjë këngë, dhe ishin të kushtëzuar që më shumë rëndësi t’u kushtojnë “live” paraqitjeve. Ky konstatim ndikoi që Albania të humbasë shumë kohë në gjetje të studios së përshtatshme për incizime, për çka, siç theksuam më lart, arriti të editojë vetëm një album muzikor.

Jonnie Kilometer në daulle, Dusty McSheffrey në bas-kitarë, dhe K.Y. McKay në kitarë dhe vokal, nisën në fillim të vitit 1978 veprimtarinë muzikore. Më vonë këtij treshi iu bashkëngjit edhe Nick Ash, i cili nuk dinte të fliste shqip, por theksonte se ka prejardhje shqiptare. Nick Ash luante në klaviaturë dhe, siç theksonin anëtarët e tjerë të bendit, ishte një freski e madhe, posaçërisht në “live” paraqitjet.

Atëkohë këta katër anëtarë u bënë anëtarë të grupit “The Kelvinators”. Ky grup, së bashku me dy bendet e tjera të Glasgout, The Motels dhe Giro Were, incizuan një album të përbashkët të pagëzuar si Glasgow Bends. Nuk kaloi shumë kohë dhe K.Y. McKay u angazhua në projektin filmor “Deathwatch” në të cilin aktronin: Harvey Keitel, Romy Schneider, Herry Dean Staton dhe Max Von Sydow. Kuptohet, në filmin e regjisorit Bertrand Tavernier. K.Y. McKay kishte detyrë të përgatiste muzikën. Kështu ndodhi që të incizohet kënga e këtij autori e pagëzuar si vetë filmi “Deathwatch”.

Në ndërkohë, Jonni dhe Dusty bën një kontakt në Londër  me producentin e pavarur, Richard Grifiths, i cili propozonte që katërshja t’i bënte incizimet e para në studion “Basing Street” në Notting Hill, që do të thoshte që të largohen nga Glasgou ku nuk kishte mundësi të punës. Kështu edhe ndodhi, meqë katërshja pranoi propozimin e tij. Në ndërkohë anëtar i pestë i bendit u bë edhe Andy Hamilton, i cili luante në saksofon.

Me qëllim që ari t’i kthehet Shqipërisë

Qysh në fillim të punës këta pesë anëtarë u pajtuan që bendin ta emërtojmë  – Albania. Nën vëzhgimin e vazhdueshëm të Grifithsit, filluan të incizohen edhe këngët e para në studion “Basing Street”. Grifiths mbronte interesat e dy shtëpive diskografike, Island dhe Virgin. Pas pesë javësh Albania arriti t’i incizojë dhjetë këngë dhe ta editojë albumin e parë, mjerisht të vetmin – “Are You All Mine”. Ky album doli në shitje më 6 prill 1981. Pasuan shumë koncertet, duke u nisur nga Old Marque e deri te Victoria.

Filluan edhe paraqitjet e para të grupit në revista dhe gazeta. Siç u kujtohej K.Y. McKay, më së shumti pyetje bëheshin rreth prejardhjes së emrit Albania. Këtë më së miri bendi e paraqiste me këngën Albania (Are You All Mine) (Shqipëri, a je vetëm imja).

Në vitin 1980 Britania e Madhe nuk kishte marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Njëra ndër arsyet për këtë ishte edhe marrja e rezervave të arit të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ana e Anglisë, përkatësisht nga Banka angleze. Ne mendonim, theksonte McKay, që ky ishte një veprim i papranueshëm dhe u munduam që me ndihmën e emërtimit të bendit Albania dhe muzikës sonë, të ndikojmë që kjo padrejtësi të përmirësohet dhe që ari t’i kthehet Shqipërisë. Atë kohë shumica e popullit në ishullin britanik as që kanë ditur se ekziston shtet me emrin Shqipëri. Për fat të keq, emërtimi i bendit  nuk lidhej me ekzistimin e një shteti me të njëjtin emër.

Pastaj …

Albumi i vetëm i bendit hasi në një polemikë të madhe mes atyre që e përkrahnin dhe atyre që dyshonin në cilësinë e veprës së tyre. Megjithatë, Albania dëshmoi cilësinë e vet në turneun e parë në Itali, e më pastaj edhe në Irlandë e Skoci, ku përjetuan momente emocionuese nga publiku i shkëlqyeshëm.

Gjatë vitit 1995, K.Y. McKay bëri një publikim të të gjitha këngëve në një disk të pagëzuar “Life After Death Is One The Phone”, në të cilin gjenden të gjitha këngët e Albanias gjatë veprimtarisë së tyre. Pra, këngët: “Albania (Are You All Mine)”, “Addits Of The First Night”, “Take It Away”, “French Farewell”, “Cold Night Of Day”, “The Great Zambesi”, “Kaytie King”, “Men In a Million”, “Deathwatch”, “Word Is Out”, “Today And Tomorrow”, “I Told You So”, “Little Baby”, “Could This Be Love” dhe “Go Go Go”, u bënë të mirënjohura për gjithë botën.

Tash, pas 18 vjetësh (më 1999), ka ndryshuar edhe mendimi i opinionit në Britani. Dihet për Shqipërinë, dihet se një kohë ka ekzistuar Albania, me muzikën avangarde, me melosin skocez, inspiruar nga historia e shqiptarëve.  K.Y.McKay tani do të thoshte: “Paçi shëndet e lumturi, dhe lamtumirë shqiptarë kudo që jeni” ¼ /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e fisit Shala

Historia e fisit Shala

Kulture
Kristo Frashëri dorëzoi letrën, ku për të thuhej: Po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe!

Kristo Frashëri dorëzoi letrën, ku për të thuhej: Po e drodhi bishtin, këputini një plumb pas qafe!

Kulture
Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

Fjala+
“Veprimtaria e Faik Konicës”

“Veprimtaria e Faik Konicës”

Kulture
Kalemxhiu Blush dhe ditëlindja e Kadaresë

Kalemxhiu Blush dhe ditëlindja e Kadaresë

Kulture
EROTIKË

EROTIKË

Poezi
Kalo në kategori