Ndeshja miqësore mes Kombëtares së Greqisë dhe Kombëtares së Italisë, e planifikuar për 6 qershor, rrezikon seriozisht të anulohet.

Sipas raportimeve nga mediat italiane, Federata Greke e Futbollit është e pakënaqur me planin e Italisë për të paraqitur një skuadër të përbërë kryesisht nga lojtarë të ekipit U21, në vend të formacionit më të fortë të kombëtares A.


Pas dështimit për t’u kualifikuar në Kupën e Botës 2026 dhe humbjes ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës në finalen e “play-off”-it në mars, trajneri Gennaro Gattuso dha dorëheqjen nga drejtimi i Italisë.

Federata italiane ende nuk ka emëruar një trajner të ri, ndërsa dy ndeshjet miqësore të qershorit i janë besuar trajnerit të ekipit U21, Silvio Baldini.

Baldini ka bërë të qartë se synon të grumbullojë vetëm futbollistë nga ekipi U21 për sfidat ndaj Luksemburgut dhe Greqisë. Megjithatë, kapiteni Gianluigi Donnarumma raportohet se është vënë në dispozicion për kombëtaren italiane.

Federata Greke kërkon një test serioz dhe konkurrues përpara nisjes së Ligës së Kombeve në shtator dhe beson se një përballje me ekipin italian U21 nuk i plotëson këto kritere.

Sipas mediave, dy federatat kanë qenë në kontakt gjatë ditëve të fundit për të gjetur një zgjidhje, por ekziston rreziku real që ndeshja të mos zhvillohet fare.

Situata pritet të sqarohet shumë shpejt, pasi sfida është vetëm pak javë larg dhe gjetja e një kundërshtari të ri do të ishte e vështirë për të dyja kombëtaret. /Telegrafi/

telegrafi sport app