LAJMI I FUNDIT:

Gratë që qeshin janë të rrezikshme!?

Gratë që qeshin janë të rrezikshme!?
Vigee-Lebrun me të bijën, Jeanne Lucia

Nga: Dashnor Kokonozi

Tabloja e famshme nga Élisabeth Vigée-Lebrun, që nuk është veçse një autoportret i saj me të bijën, kur u shfaq në publik më 1787, shkaktoi skandal të vërtetë.

Kurrë deri në atë kohë nuk ishte shfaqur në publik një grua me “dhëmbët jashtë”.

Ky është një nga shembujt e shumtë që Sabine Melchior-Bonnet, kërkuese në Collège de France, sjell në librin e saj, Qeshja e grave, histori pushteti.

E pra, është një gjest kaq i natyrshëm dhe thellësisht njerëzor, por që me sa duket ka qenë mjaft i paragjykuar.

E qeshura e grave është cilësuar në shekuj si kërcënuese, gjësendi e rrezikshme në mos shprehje e një morali të dyshimtë. Një grua e mirë nuk zgërdhihet!

Libri nuk synon të thotë se gratë e dikurshme nuk qeshnin, por që morali dhe normat e politesës e të sjelljes e gjykonin të qeshurën si gjësendi që prishte moralin e gruas, por në të njëjtën kohë gratë e kanë përdorur të qeshurën si mjet kundër burrave që janë mbajtësit e vërtetë të pushtetit në shoqëritë patriarkale.

Si një rast të tillë, autorja merr shembuj që nga antikiteti duke analizuar komedinë Lysistrata të Aristofanit, si një komedi antimilitariste dhe shprehje e rezistencës së padhunshme ku gratë shpallin grevën e seksit ndaj burrave të tyre me qëllim që t’i jepet fund Luftës së Poleponezit.

Gratë qeshin midis tyre dhe kjo vë në pikëpyetje virilitetin e burrave, rendin social të luftëtareve.

Kohët që erdhën dhe për më tepër Mesjeta nuk është se i përmirësoi punët e të qeshurës së grave. Në shek. XII-të, Hildegarde de Bingen (eh, ç’muzikane e shkëlqyer që e kam dëgjuar aq shumë!) në shkrimet e saj teologjike e lidh të qeshurën e gruas me mëkatin fillestar dhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me pjesën e poshtme të trupit, “pjesët e turpshme” siç thotë ajo.

Opinioni mesjetar gjykon se gratë nuk dinë të qeshin përveçse në lidhje me seksin. E, për pasojë, një akt qeshjeje nga ata e tyre, është akt i dënueshëm.

Për kohët e mëvonshme libri sjell rastin e Talleyrandit (1734-1838) që lëvdon të ëmën e cila shmangte çdo bisedë a subjekt që mund të përfundonte me një të qeshur.

Ja pra modeli gruas së mirë!

Libri nuk lë mënjanë përpjekjet e grave të shoqërive moderne që të emancipojnë të qeshurën pa u paragjykuar. Dhe, kjo si gjatë periudhës së Iluminizmit, te analiza që i bën librit të Virginia Woolfit, The Value of Laughter (1905), që i njeh së qeshurës një rol emancipues, e deri te aktoret e njohura sot për humorin e tyre të jashtëzakonshëm në skenën franceze.

Nuk e dija se edhe një gjest kaq i natyrshëm kishte një histori kaq të vështirë për gjysmën e popullsisë së botës.