LAJMI I FUNDIT:

Grackat dhe rreziqet e një ideje

Grackat dhe rreziqet e një ideje

Duke parë indiferencën time të plotë ndaj festimeve në rrugë, jo vetëm kur fiton skuadra e zemrës, por edhe për festa të shënuara kombëtare, shoku im pati ardhur në përfundim se është e pamundshme që unë të dilja dhe të festoja për një ditë të veçuar në kalendar. Shokut tim i pata thënë se, megjithatë, kjo është e mundshme. I tregova se ekzistonte një rrethanë, e cila mund të më ‘detyrojë” të dal e të festoj në rrugë, të festoj me gëzim, në delir e si i hallakatur dhe të mbështillem me flamur e të lyej fytyrën si në karnaval. Të festoj në një mënyrë, sikur kjo të ishte dita e fundit e jetës sime, sikur kjo të ishte dita e fundit e ekzistencës së këtij planeti – të mos më mbetej merak për asgjë, të mos më dhimbsej më asgjë. Dhe, kjo do të ndodhte vetëm nëse festa do të mund të bëhej në rrugët e Preshevës, në rast se do të ndodhte mrekullia dhe shqiptarët e Luginës do të mund ta fitonin – në ndonjë mënyrë – lirinë dhe të mos vazhdonin të lëngonin nën çizmen serbe. Dhe, kjo është ëndrra ime.

Megjithatë, jashtë ëndrrës, romantizmit, iluzioneve e emocioneve… na thërret realiteti i zymtë, vrazhdësia e një bote të udhëhequr nga shumë interesa, nga tepër pak drejtësi dhe nga asnjë pikë mëshire. Kthehemi pra e flasim për këtë botë. Me një fjalë, të zgjohemi e të mundohemi ta pranojmë dhe t’i përshtatemi kësaj bote. Dhe dëgjojmë e lexojmë idenë e akademik Rexhep Qosjes për shkëmbimin e veriut të Kosovës me Luginën e Preshevës.


Idetë për shkëmbime territoresh nuk janë të reja në fushën e gazetarisë e publicistikës shqiptaro e serbe, kurrë pa ia arritur të hyjnë në tryezat politike, diplomatike e ushtarake. Arsyeja për këtë është se shqiptarët e Kosovës kanë pasur vetëm pretendimet dhe të drejtën e popullatës shumicë, ndërsa serbët i kanë pasur krejt ato territore të ‘shkelura me çizme ushtarësh’. Diçka që do të mund të ndihmonte në këtë rast, e ka vështirësuar tej mase çështjen: indiferenca makabre (shpesh rreshtimi i plotë kah serbët) e Shqipërisë Londineze ndaj territoreve të kontestuara.

Prandaj, retorika – s’mund të them as ideja – e Qosjes, pavarësisht sa e ëmbël dhe romantike tingëllon në shpirtin e një kombi, që po dështon të zgjohet dhe ta njoh realpolitikën dhe vrazhdësinë e një bote të dominuar nga forca, jo nga fjala, nuk është origjinale, por prapëseprapë mbetet e rrezikshme. E, ka një varg grackash e rreziqesh në këtë pazar të përfolur.

Rreziku i parë, më i lehti, është që tërë procesi i shtetndërtimit, i njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata dhe struktura jetike për ekzistencën e saj juridike, së paku të pushojë, së paku të pezullohet (dhe duhet ta dimë se në nyje botërore si Kosova, ngrirja mund të zgjasë me 60-70 vjet).

I dyti rrezik shfaqet në fillimin e pazarit. Fillimi i një pazari për dhe rreth Kosovës do të thotë – dhe, këtu nuk jemi aspak origjinalë – hapja e Kutisë së Pandorës. Sikur që ndodh rëndom, pas startit, fillon faza tjetër, shpërndarja e pazarit (ose retorika së paku) në rajon. Do të thotë, për shkaqe komplekse, që nuk ka nevojë të elaborohen më tej, një luftë tjetër, apo së paku, një zinxhir incidentesh e konfliktesh- sigurisht të armatosura – dhe një proces tjetër i paqes për gadishullin. Do të lëvizë Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, me gjasë tërë Ballkani dhe me këtë, detyrimisht, tërë bota. Por, kur jemi duke folur për botën dhe qendrat e vendosjes, duhet të dimë shumë gjëra, para se të lëshohemi në aventura, të cilave nuk kemi forcë e as unitet t’iu arrijmë në fund. Përveç tjerash, duhet ta dimë se bota nuk është ajo që ka qenë më 1999. Me një shikim sipërfaqësor, duhet të shohim hamendjen e amerikanëve për politikën e jashtme (detyrimisht, duhet ta shohim se kush e sundon – sepse nuk qeveriset në këtë mënyrë – Shtëpinë e Bardhë), hutimin e evropianëve dhe ekspansionin në rritje të hegjemonisë së ariut rus. Këto shenja të qarta dhe shumë të tjera më të fshehura, u tregojnë atyre që duan të dëgjojnë se bota nuk është më ajo e vitit 1999. As afër saj!

Rreziku tjetër paraqitet nëse arrihet një marrëveshje për shkëmbime territoresh. Duke i njohur serbët, ne e dimë se pas një marrëveshjeje – e cila do të jetë, si gjithmonë, ambivalente, e vagullt dhe e paqartë – serbët nuk do ta respektojnë atë ashtu si pritet në botën normale, por brenda një nate dhe duke pasur arsyetimin e pranuar botërisht se po vinë për Veriun, do të bëjnë disa xhepa në Kosovë dhe nuk do ta japin tërë Luginën (arsyetimet: përkohësisht për sigurinë e enklavave në Kosovë dhe përqindja e papërillfshme në Medvegjë…). Kështu që, e lidhur ngushtë me rrezikun e fundit, por jo vetëm, në mëngjesin pas pazarit, ne do të kemi një Veri të pushtuar me hekur (prandaj, serbët do të diktojnë ujin e pijes për kosovarët dhe funksionimin e elektranave për rrymë), dhe – pas inskenimeve, për të cilat serbët janë të njohur dhe në stilin alla-Panda – do të kemi barrikadime të panumërta ‘të përkohshme” të enklavave serbe brenda Kosovës. Krejt këto, duke pasur një Kosovë nën tytat e tankeve serbe të rreshtuara në Ibër dhe me shikim të qartë, kontroll të plotë dhe rreze vepruese në krejt territorin e Kosovës. E, ne e dimë shumë mirë se çfarë pavarësie mund të ketë nën rrezen e veprimit të tankeve serbe.

Edhe nëse krejt këto rreziqe që i përmenda do të ishin të zbehta e pa shumë gjasa që të ndodhin, ekziston një rrezik tjetër që do t’i trimërojë serbët për sa u tha më lart. Nëse do të hynim në transaksione me serbët tani ose në të ardhmen e afërt, detyrimisht ne do të përfaqësoheshim nga një elitë politike injorante, inferiore dhe e pamoralshme. Dhe si e tillë, e paaftë për të arritur rezultate edhe në biseda normale – e jo më në marrëveshje për shkëmbime territoresh – dhe, një konjukturë politike krejt e gatshme për koncesione që do ta bënin Kosovën një lëkurë leopardi.

Qosja bashkë me pasuesit e tij, para se të flisnin, do të duhej të mendonin bile për disa nga këto rreziqe. Rreziqe e kurthe të serbëve që, kësaj radhe, pas dështimit të tyre më 1999 – në të cilin dështim të tyre, ne kontribuuam vetëm me vullnet të mirë, fjalë e me gjak viktimash të pafajshme – mund ta zhbëjnë Kosovën. Sepse, që nga ajo kohë, kur rusët kërkonin copa buke në kontejnerë dhe ekonomia e tyre nuk kishte mundësi as t’i ndizte tanket, bota ka ndryshuar shumë, tepër shumë. Vetëm një gjë nuk ka ndryshuar. Shqiptarët ende merren vetëm me fjalë boshe, ende nuk kanë asnjë unitet, ende nuk kanë asnjë konsensus për shtetndërtim, ende nuk kanë asnjë ide.

Vetëm fjalë!

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Magazina
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori