LAJMI I FUNDIT:

GLPS: Kosova nuk shënon asnjë progres thelbësor në procesin e reformave integruese

GLPS: Kosova nuk shënon asnjë progres thelbësor në procesin e reformave integruese

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) theksoi se Kosova nuk ka shënuar asnjë progres thelbësor në procesin e reformave integruese.

Përfaqësues të GLPS në një konferencë për media thekson se Raporti i BE-së për Kosovën për vitin 2020 nuk përbën ndonjë risi në vlerësimin e përgjithshëm të defekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe mendojmë që do të neglizhohet njëjtë sikur që është neglizhuar në 10 vitet e fundit.


Sipas GLPS raporti për Kosovën 2020 nuk vëren progres serioz në asnjë fushë të procesit integrues, duke dëshmuar kështu që qeveria vazhdon të jetë seriozisht e pafuqishme politikisht dhe e paaftë për të adresuar listën e reformave kyçe në procesin integrues;

“Raporti nuk vëren një adresim serioz të kritereve të integrimit nga një strukturë që e menaxhon procesin integrues, sikur që ishte Ministria e Integrimit apo sot Agjencia për Integrim Evropian. Një faktor i tillë është tregues që Kosova ende nuk i ka konsoliduar mjaftueshëm kuadrin institucional për t’a menaxhuar në mënyrë sistematike dhe të monitorueshme çdo kriter në procesin e integrimit, e jo vetëm MSA-në apo Planin e saj të veprimit”.

Sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike raporti gjithashtu nuk shënon ndonjë iniciativë serioze të reformave që ka ndërmarr qeveria.

“Kjo është dëshmi që sistemi i qeverisjes në Kosovë vazhdon të ushtroj një mandat që e ruan status quo-n, dhe nuk parasheh e ndërmerr veprime që synojnë të ndryshojnë thellësisht situatën në sektorët e caktuar të politikave publike. Çdo qeveri në rajon ka të paktën nga një reformë të thellë strukturore për të cilën është çmuar nga Komisioni Evropian; Kosovës i mungon një gjë e tillë”.

Sa i përket fushave specifike, raporti konstaton si më poshtë:

“Në fushën e kritereve politike, raporti thekson paqëndrueshmërinë e kuadrit qeveritar, që kryesisht është reflektim i paqëndrueshmërisë së koalicioneve politike, dhe konsensusit afatgjatë të partneritetit politik; një theks i tillë është dëshmi që Kosova vazhdon të mos ketë një jetë stabile institucionale, e cila e bën pak të mundshme adresimin e rregullt dhe formësimin e vullnetit politik afatgjatë për adresim të kritereve të zgjerimit; Raporti gjithashtu thekson karakterin e dobët të përfaqësimit të gruas në sistemin vendimmarrës e qeveritar, që është tregues i mungesës së një vizioni që respekton balancin gjinor;

“Raporti thekson që zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me standardet e mira elektorale, megjithatë sistemi i ankesave ndaj vendimeve të KQZ-së është seriozisht i paqëndrueshëm dhe shpeshherë i paparashikueshëm; një defekt i tillë e bën shpeshherë rezultatin parlamentar subjekt të vullnetit apo presionit politik, e aty gjen shprehje edhe ndikimi politik mbi komponentin gjyqësore të ankesave zgjedhore”.

Sipas GLPS, raportoi po ashtu gjen që ka progres të kufizuar në fushën e administratës publike, sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë objekt i një ndikimi serioz politik.

Raporti thekson që Kuvendi i Kosovës është objekt i përçarjeve të thella, e të tilla që e bëjnë shumicën parlamentare të paaftë për të kontrolluar qeverinë apo për të mbështetur reforma të thella institucionale.

Raporti vë theksin gjithashtu në strukturën e shpenzimeve publike, duke theksuar që ka rënë tutje standardi i planifikimit të arsyeshëm buxhetor.

Raporti gjithashtu thekson mungesën e mundësisë për të bërë biznes, dhe kontrollit të madh të interesave të ngushta politike mbi mënyrën se si bëhet biznes.

“Element tjetër i rëndësishëm është transparenca e kuadrit financiar të partive politike. Raporti thekson që partitë politike janë duke bërë shkelje serioze të ligjit duke mos publikuar raportet e detajuara financiare sipas ligjit në fuqi, dhe një defekt i tillë shprehet në çdo aspekt të auditimit të jashtëm gjithashtu. Një defekt i tillë pastaj reflektohet në sisteme prokurimi e shpenzimesh publike të klientelave partizane, origjina e të cilave nuk mund të hetohet për shkak të mospublikimit me kohe e sipas ligjit të shpenzimeve partiake”. /Telegrafi/