Globalizimi rrit rrezikun e përhapjes së hantavirusit, Harxhi: Shqipëria pak e rrezikuar

Virusi Andes, një nënvariant i familjes së hantaviruseve që infektoi pasagjerët e anijes, ka periudhë inkubacioni deri në gjashtë javë në shfaqjen e simptomave.
Kjo sipas infeksionistit Harxhi e ndërlikon situatën dhe shpjegon pse po shfaqin raste të reja në vende të ndryshme të botës.
“Do duhet që të presim që të bëhet gjashtë javë për secilin nga personat që mund të jetë ekspozuar si për ato që kanë qenë në anijen e famshme, por edhe personat që mund të jenë ekspozuar , po flas për ato pasagjerë në atë avion që u transportuan dhe këtë po bëjnë ekspertët, po monitorojnë dhe po survejojnë pra dhe po gjurmojnë të gjithë këto kontakte të mundshme.”
Andes është i vetmi nga hantaviruset që transmetohet nga njeriu tek njeriu, por ka potencial të ulët për transmetim për shkak se kërkon kontakte të gjata dhe të ngushta.
“Kontakti duhet të jetë shumë i ngushtë dhe periudha e infeksozitetit, pra periudha kur një person i infektuar është infektues për të tjerët mendohet që të jetë e shkurtër, jo shumë e gjatë.”
Ekspertët theksojnë se nuk ka vend për panik dhe as t’i frikësohemi një pandemie, por as nuk përjashtojnë mundësinë për të pasur një pacient me Andes edhe në Shqipëri, për shkak të globalizimit.
“Mendoj që probabiliteti është shumë i vogël duke pasur parasysh popullatën e Shqipërisë, por që asgjë nuk mund të jetë e pamundur duke pasur parasysh lëvizshmërinë e madhe. Kjo situatë nuk do jetë e tillë që do na japë shqetësime të mëdha përsa i përket riskut për shëndetin publik.”
Infeksionistët përsërisin se rrugët e transmetimit mbeten spërklat, grimcat e ajrit të kontaminuara, kontakti me sendet e të sëmurit, ndotja e duarve.
E pamundur të shmangësh ekspozimin, thonë ata. Por higjiena duhet të jetë gjithmonë e lartë. Kujdes, bashkë me qarkullimin e hantaviruseve ka nisur edhe infodemia e lajmeve për to./RTSH















































