LAJMI I FUNDIT:

Gjyqtarët serbë ngrenë dolli për vrasjen e Bajram Kelmendit dhe djemve të tij

Gjyqtarët serbë ngrenë dolli për vrasjen e Bajram Kelmendit dhe djemve të tij

Ejyp Kolica, lajmin për marrjen e Bajram Kelmendit dhe djemve të tij e kishte marrë të nesërmen, me datë 25 mars. Menjëherë pas kësaj, kishte dalë në hulumtim në stacionet e Policisë, duke shpjeguar më tutje se si kishte vazhduar për në Gjykatën e Qarkut.

“Posa kam hyrë në korridor, tingëllonte muzika. Vështrova mirë, atëherë e vërejta se muzika vinte nga zyra e Danica Marinkoviqit, gjyqtare hetuese në atë kohë. Nga zhurma e muzikës nuk e kanë dëgjuar trokitjen time. Kam trokitur më shumë. Jam stepur kur e kanë hapur derën, të gjithë pjesëmarrësit në atë zyre. Përveç Danica Marinkoviqit, ka qenë gjyqtari Maksimoviq, Saveniq e të tjerë. Ishin duke ngrehur dolli në zyrën e gjykatëses hetuese Danica. Ata diçka po kremtonin. Dyshimi im ishte se kremtonin zhdukjen e Bajram Kelmendit me fëmijë”, thekson Kolica, transmeton Koha.net.


Më tutje, ai ka vazhduar rrugëtimin e tij deri në gjetjen e trupave të tre burrave të familjes Kelmendi, rrugëtim ky i rrezikshëm edhe për veten jetën e tij.

Kolica tregoi se si kishin ardhur dy persona të shtëpia e Kelmendit dhe i kishin thënë se nëse është duke kërkuar Bajram Kelmendin me djem, duhet të shkonte te Fabrika e Amortizatorëve, ku gjendeshin tanimë të vrarë. Deri te ndalesa tjetër, te pompa e benzinës, bisedoi me gruan e avokatit Zhivko Jovkanoviq, Nadën, e që sipas tij biseda u vështrua nga punëtori i pompës.

“Më tha shikoje këndin e kësaj barake ku është pompa, paralel me cepin e kësaj barake shikoni në këtë drejtim dhe e sheh në largësi një grumbull, barku i Bajramit i fryrë, edhe pak si zi dukej, kaltër në të zezë. E kam përkushtuar shikimin në atë drejtim, e kam vërejtur. I kam marrë 10 litra naftë dhe kam hy në makinë”, rrëfente më tej Kolica në “Rubikon” të KTV-së, që vazhdoi rrugën për në shtëpinë e motrës ta ngushëllojë dhe të vazhdojë me episodin tjetër, atë të varrimit të trupave.

“Kufomat i kam gjetur mu përballë objektit Izolacioni, firmë e Beogradit. Ky lokacion gjendet mu te hyrja e vendit, ku sekuestrohen makinat për shkak të parkingut të palejuar sot, mu te hyrja”, tha ai.

Kolica, në cilësinë e personit të parë i cili ka gjetur trupat e tyre, rrëfen në detaje tërë rrugën e tij deri aty, mënyrën se si i gjeti dhe vështirësitë deri në varrosjen e trupave.

“Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Kam qenë shumë i lidhur me djalin e madh të Nekibes, Kastriotin, për shkak të tipareve të njëjta. Kur i pashë, fillimisht atij iu hodha në krah, sepse Bajrami ka qenë i kthyer me fytyrë kah qielli, e shpinë kah toka. Ndërsa, djemtë në anën tjetër, me fytyrë kah toka e shpinë kah qielli. Bajrami ka qenë në mesin e dy djemve, i pushkatuar”, tha Kolica për ngjarjen e datës 26 mars të vitit 1999, saktësisht ora 11:00 – 11:05.

Kujdesin për trupat dhe varrosjen e tyre, Kolica e quan episod tjetër, për të cilin, sipas tij, çdo ditë bëhej më e vështirë t’i merrte pasi tani edhe ai ishte shënjestër e forcave serbe. Kur shkoi për t’i marrë ata, ai shpjegon se ishte i vetëm në makinë dhe u ndalua nga policët serbë, për t’u takuar pastaj me gjykatësen, Danica Marinkoviq, e që sipas Kolicës, ata patën një bisedë lidhur me njohjen e trupave, mirëpo, jo edhe marrjen e tyre.

“Kur kam shkuar në orën 2:00 në morg, më kanë thënë eja në orën 3:00. Jam kthyer gjithnjë vetë, përsëri të njëjtën përgjigje, por tash hajde në orën 5:00. Kur shkova, thanë nuk janë gati ende”, thotë kështu Kolica, duke vazhduar përsëri me ditën tjetër, kur edhe u paralajmërua nga një punëtor i spitalit i cili, sipas tij, i tha të ketë kujdes me hyrjet dhe daljet nga spitali. “Mos hyr në të njëjtën hyrje dhe mos dil në të njëjtën hyrje”, i kishte thënë ai.

Për t’i marrë trupat, Kolicës i dolën në ndihmë Ali Berisha, Shaban Lutolli, Remzi Ballata dhe djali i tij, Ernest Ballata, duke shtuar se “askush nuk kishte guxim të vinte të më ndihmonte e që ishte krejtësisht e natyrshme”.

Ai nënshkroi te Tefik Gashi, i mori kufomat dhe u drejtua për në varreza.

“Si kemi ardhur, i kemi futur në katin përdhes të shtëpisë, i kemi mbuluar me flamuj kombëtar e jemi nisur për varreza”, shtoi ai.